
Hakmarrja e Putin: Pagesat për gazin nga Europa vetëm në rubla
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do pranojë pagesë vetëm në rubla për dërgesat e gazit për vendet jomiqësore, të cilat përfshijë të gjitha vendet anëtare të BE-së, kjo pasi Moska u ndëshkua me sanksione të paprecedenta për sulmin në Ukrainë.
Menjëherë pas këtij njoftimi, rubla e cila ka pësuar rënie që nga nisja e konfliktit në Ukrainë, u forcua kundrejt dollarit dhe euros, ndërsa çmimet e gazit pësuan rritje.
“Kam vendosur të zbatoj një sërë masash për të transferuar pagesën për furnizimet tona me gaz për vendet jomiqësore në rubla ruse”, deklaroi Putin duke shtuar se megjithatë Rusia do të vazhdojë të furnizojë me vëllimin e gazit siç është parashikuar në kontratat e saj.
Putin urdhëroi bankën qendrore të Rusisë, të zbatojë sistemin e ri të pagesave brenda një jave, duke thënë se duhet të jetë transparent dhe do të përfshijë blerjen e rublave në tregun e brendshëm të Rusisë. Putin la të kuptojë gjithashtu se eksportet e tjera ruse mund të preken.
Gjatë pasdites së të mërkurës, agjencia ruse e Hapësirës ‘Roscosmos’ njoftoi se do të këmbëngulë që partnerët ndërkombëtarë të mund të paguajnë për marrëveshjet vetëm në rubla.
Ukraina u tregua e shpejtë në denoncimin e menjëhershëm ndaj ‘Luftës Ekonomike” që Rusia i ka shpallur BE-së dhe përpjekjet e saj për të forcuar rublën.
“Por Perëndimi mund të godasë Rusinë me një embargo nafte që do të shkaktonte rënien e ekonomisë ruse,” deklaron këshilltari presidencial ukrainas Andriy Yermak duke shtuar se tashmë kjo është një betejë ekonomike dhe se Perëndimi duhet ta fitojë atë në mënyrë kolektive.
Sanksionet gjymtuese ndaj Rusisë.
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, vendi i të cilit importonte 55% të gazit natyror nga Rusia përpara konfliktit, tha se kërkesa e Putin është një shkelje e kontratës dhe se Berlini do të diskutojë me partnerët evropianë mbi mënyrën e reagimit. Kompania energjetike austriake OMV deklaroi të mërkurën se do të vazhdojë të paguajë për gazin rus në euro pavarësisht njoftimit.
Vendet perëndimore kanë grumbulluar sanksione ndaj Moskës që kur ajo zhvendosi trupat në Ukrainë. Perëndimi ngriu rreth 300 miliardë dollarë të rezervave valutore të Rusisë jashtë vendit, një lëvizje që Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e përshkroi si “vjedhje”.
Por ndërsa Shtetet e Bashkuara ndaluan importin e naftës dhe gazit rus, BE-ja, e cila mori rreth 40 për qind të furnizimeve të saj me gaz nga Rusia në vitin 2021, ka mbajtur dërgesat nga Moska.
Megjithatë, Brukseli ka vendosur një objektiv për të ulur importet e gazit rus me dy të tretat deri në fund të vitit dhe po shikon një embargo të naftës.
“Rusia tani po përpiqet të bëjë presion mbi Perëndimin me kundërsanksione dhe të ulë varësinë e saj nga monedhat e huaja,” thotë për AFP analisti i lartë i Swissquote, Ipek Ozkardeskaya.
Vendim historik
Rusia ka vite me përpjekje për të “çdollarizuar” ekonominë e saj që nga futja e sanksioneve perëndimore për aneksimin e saj të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Në mars të vitit 2019, gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom njoftoi shitjen e parë të gazit për rubla tek një kompani e paidentifikuar evropianoperëndimore.
Zëvendëskryeministri Alexander Novak deklaroi një ditë më parë se një zhvendosje në tregtimin në monedhën kombëtare do të “rriste besueshmërinë”. Ai paralajmëroi se një embargo e plotë ndaj naftës dhe gazit rus do të çonte në një “kolaps” të tregjeve globale të energjisë dhe në rritje “të paparashikueshme” të çmimeve.
Fundosni kundërshtarët
Analisti Timothy Ash i BlueBay Asset Management thotë se në thelb Vladimir Putin po përpiqet të detyrojë vendet perëndimore të bëjnë tregti me bankën qendrore të Rusisë, të cilën ata e kanë sanksionuar. “Kjo thjesht do të përshpejtojë diversifikimin larg nga energjia ruse”.
Sipas grupit të investimeve Locko Invest, vendet e shpallura “jomiqësore” nga Rusia përbëjnë më shumë se 70 % të eksporteve të energjisë ruse për sa i përket fitimeve. Grupi theksoi gjithashtu rrezikun që Gazprom të mbarojë pa valutë për të shlyer borxhet e tij në të ardhmen.
Por Andrew Weiss i Fondacionit Carnegie thotë se Putin di patjetër se si të ndërtojë dhe të shfrytëzojë “levën”.
“Putini ka përdorur në mënyrë rutinore përshkallëzimin në situata të tilla për të prishur planet më të mira të kundërshtarëve të tij. Nuk ka arsye për të dyshuar se kjo ka ndryshuar”.
*Artikulli i “The Wall Street Journal”, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.