Hakerimet në Institucione, kreu i AKCESK: Rrezik serioz për sigurinë e informacionit

Disa sulme të kryera mbi platforma të rëndësishme, qeveritare apo institucioneve publike, kanë pezulluar punën dhe kanë nxjerrë në ‘det të hapur’ të dhëna të qytetarëve.

Rasti i fundit i një sulmi nga hakerat iranianë si Homeland Justice ndodhi në faqen e Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), duke e lënë atë të paaksesueshme për disa orë.

Kjo çështje ishte ditën e sotme në fokus të diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë, ku u kërkua nevoja për forcimin e sigurisë kibernetike. U kërkua gjithashtu të vihet fokusi në disa pika me rëndësi, si ngritja e kapaciteteve të nevojshme për infrastrukturën kritike, si dhe krijimi i një kuadri ligjor në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë, Igli Tafa, tha se shkalla e fuqisë, shpeshtësia dhe ndikimi i incidenteve të sigurisë kibernetike bëjnë gjithnjë e më të nevojshme forcimin e sigurisë kibernetike për të siguruar funksionimin normal të sistemeve, si dhe rrjeteve të informacionit.

Igli Tafa:

“Siguria Kibernetike dhe ngritja e kapaciteteve për infrastrukturën kritike të informacionit është bërë e rëndësishme, pasi teknologjia përshkon çdo aspekt të jetës. Për t’ju përgjigjur sulmeve, është domosdoshmëri ngritja e një kuadri bashkëkohor, të përafruar me atë të BE-së, që të sigurojë mekanizma ligjorë për tu përballur me sfidat aktuale dhe ato të ardhshme. Duhet shtuar kompetencë ligjore në fushën e sigurisë kibernetike, të krihen kapacitete teknike të reja për monitorimin e infrastrukturave dhe simulime për zbuluar boshllëqe dhe dobësi në sistemet tona. Gjithashtu, duhet të zgjerohen dhe forcohen strukturat dhe mekanizmat për të trajtuar dhe menaxhuar incidentet kibernetike. Struktura të reja për të menaxhuar emergjencat kibernetike në nivel kombëtar duhen gjithashtu të pajisen me instrumentet e duhura për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me sigurinë kibernetike. Nevoja për miratimin e një ligji të tillë është e domosdoshme për tre arsye. Së pari, për të forcuar nivelin e sigurisë kibernetike në vend; së dyti, për përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me Bashkimin Europian; dhe së treti, si detyrim për përmbushjen e objektivave të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit 2020-2025”.

Sipas një raporti nga “Check Point Research”, sulmet kibernetike janë duke u rritur në gjithë botën, me një rritje prej 38% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021.