Hakerat në sulm ndaj grupeve bamirëse të refugjatëve ukrainas

Hakerat po synojnë të sulmojnë grupet evropiane të bamirësisë që ndihmojnë refugjatët ukrainas të ikin nga vendi pas pushtimit të Rusisë.

Alarmi u ngrit nga një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë kibernetike.

Victor Zhora, zëvendës-shefi i Shërbimit Shtetëror të Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës nuk dha shumë detaje të mëtejshme.

Komentet e tij pasojnë një raport të botuar në fillim të këtij muaji. Raporti pretendonte se hakera të paidentifikuar po pengonin personelin e qeverisë evropiane të përfshirë në menaxhimin e fluksit masiv të refugjatëve jashtë vendit.

“Ne supozojmë se kjo është një tjetër provë e përhapjes së luftës kibernetike në vendet e NATO-s,” tha zyrtari ukrainas.

Më shumë se 3.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.

Agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar si krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.