
Habi nga Elbasani: Votova kandidatin që doja, në ekran m’u shfaq rivali i tij
Elbasani është një nga qytetet që ka raportuar ditën e sotme disa incidente për zgjedhjet. Së fundmi denoncimi vjen për mediat nga një grua e cila nuk ka dashur të identifikohet. Ajo ka treguar se si në qendrën e saj të votimit, konkretisht qendra 23 73/1 në shkollën Bardhyl Popa, ajo votoi për një kandidat në mënyrë elektronike, por në monitor është shfaqur sikur ajo ka votuar për një kandidat tjetër. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më tani ka patur 29 denoncime.
Ja rrëfimi i qytetares nga Elbasani:
“Votova për kandidatin X, por përgjigja doli sikur kisha votuar për kandidatin Y. Për kandidatin ashtu doli. Se di se çfarë do të bëjë tani, pasi s’po më thonë gjë”.
Lidhur me rastin në fjalë, kryetarja e Komisionit në atë qendër ka deklaruar se do të mbahet një procesverbal. Ajo shtoi se mund të ketë sërish një votim për të, për shkak të problemit me të cilën është hasur.
“Do bëhet procesverbali përkatës dhe do të merret vendi se çfarë do të bëhet për këtë rast. Ndërsa zonja se di ca do të bëjë, pasi shenja e gishtërinjve u vendos.”, tha kryetarja e komisionit. Ndërkohë pyetjes së gazetares Klodiana Lala se pse u vendos kjo pajisje votimi elektronik në punë, kur më parë ishte me defekt, komisionerja tha se; “Ishte me urdhër nga lart”.