Gruaja e Kobe Bryant kërkon dëmshpërblim: Kam frikë çdo ditë se do shfaqen fotot e aksidentit

E veja e Kobe Bryant ka dëshmuar se ka pasur sulme paniku pasi mësoi se fotot e rrëzimit të helikopterit që i mori jetën bashkëshortit dhe vajzës së tyre ishin marrë dhe shpërndarë.
Vanessa Bryant ka paditur qarkun e Los Anxhelos pasi dyshohet se nga aty qarkulluan fotot nga aksidenti, të shkrepura në vendin e ngjarjes nga disa punonjës.
“Unë prisja që ata të kishin më shumë dhembshuri,” iu tha ajo juristëve në gjyqin e nisur për cënimin e privatësisë.
Vanessa Bryant, 40 vjeçe tashmë po kërkon miliona dollarë me arsyet e shqetësimit të madh dhe gjendjes së rënduar emocionale nga publikimi i fotove.

Burri i saj, legjenda e basketbollit Kobe Bryant, 41 vjeç, vajza Gianna, 13 dhe gjashtë miq të familjes ndërruan jetë pasi helikopteri i tyre u rrëzua në Thousand Oaks, Kaliforni, në janar të vitit 2020.
Një raport nga Los Angeles Times pretendon se punonjësit e qarkut të këtij vendi kanë marrë foto në vendin e përplasjes dhe i kanë shpërndarë me të tjerët, dhe me mediat.
Nëntorin e kaluar, qarku ra dakord të paguante 2.5 milion dollarë për shqetësimin emocional të shkaktuar ndaj dy familjeve që humbën të afërmit në aksident, por Vanessa Bryant refuzoi në fillim.
Padia e saj federale u bë së bashku me Chris Chester, i cili humbi gruan e tij Sarah dhe vajzën Payton në aksident.
Vanessa Bryant ka treguar në gjykatë se ishte në shtëpi me fëmijët e saj të tjerë kur lexoi lajmin dhe me pamjet e publikuara nga LA Times.

“Dola nga shtëpia dhe vrapova në mënyrë që vajzat të mos më shihnin ashtu. Doja të vrapoja… dhe thjesht të bërtisja. U ndjeva e shokuar, e shkatërruar, e lënduar dhe e tradhtuar nga mënyra e publikimit të atyre pamjeve. Çdo ditë kam frikë se ato imazhe do të më shfaqen sërish, kudo, në gazeta apo media sociale. Nuk dua t’i shoh më kurrë ato fotografi, dua të kujtoj burrin dhe vajzën time ashtu siç kanë qenë”.

Megjithatë, avokati që mbron punonjësit e qarkut deklaron se fotot nga shumë afër vendngjarjes nuk janë postuar askund publikisht dhe se ato nuk ndodhen në internet e as në media e rrjete sociale. Madje ai shton se as vetë Vanessa Bryant nuk i ka parë.
Çështja vijon dhe nuk dihet ende se si do të përfundojë, por nuk është hera e pare që Vanessa Bryant ngre padi dhe kërkon dëmshpërblime me akuza lidhur me ngjarjen tragjike të bashkëshortit dhe vajzës së ndjerë.

*Tibo News