Gruaja dhe fëmijët e Pëllumb Metës dërgohen në poligon, eksperiment se kush di të përdorë armën

Prokuroria e Durrësit ka kryer një eksperiment hetimor lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit.

Ata kanë dërguar të tre fëmijët e Pëllumb Metës, Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, në një poligon për të bërë qitje me armë.

Vetëm Hygerta ka bërë qitje, ndërsa gruaja dhe 2 fëmijët e tjerë nuk kanë pranuar. Ka rezultuar se Hygerta di ta përdorë pistoletën.

Eksperimenti hetimor është ndërmarrë për të përcaktuar se cili prej tyre qëlloi me 4 plumba në drejtim të Pëllumb Metës për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët.

Policia po verifikon edhe rolin e bashkëshortes së viktimës, e cila është me detyrim paraqitje dhe po hetohet në gjendje të lirë, kurse 3 fëmijët; Hyseni, Hygerta dhe Amarildo janë nën masë sigurie “arrest në burg” për vrasjen e babait.

Hyseni, personi i dyshuar si vrasësi i të atit, ka ndryshuar deklarimet e tij duke thënë se armën e shkrepi e motra e tij, Hygerta dhe jo ai.

Ky version është mbështetur nga Hygerta, e cila përpara hetuesve fill pas zbardhjes së ngjarjes, tha se vrasjen e kreu vëllai saj i madh Hyseni, ndërsa ajo dhe vëllai i vogël e ndihmuan ta varrosnin në një gropë të hapur në oborrin e shtëpisë.

Ndërkohë vëllai i vogël, Amarildo u shpreh se nuk ka pasur dijeni për ngjarjen.