Gripi mbetet agresiv në Shqipëri, mjekët: Simptomat po zgjasin deri në 2 javë

Gripi vijon të qarkullojë në Shqipëri, në mënyrë agresive dhe me simptoma që zgjasin deri në dy javë. Mjekët tregojnë se shenjat janë tipike të gripit, tek disa persona temperatura shumë e lartë dhe ndonjëherë edhe e padominueshme nga antiflamatorët që ne përdorim për ulje temperature.

Kjo situatë zgjat 3 deri në 5 ditë dhe pastaj shoqërohet me kollën që fillon si e thatë dhe më pas me sekrecione, me dhimbje trupi, me vështirësi në gëlltitje dhe ndonjëherë shoqërohet me të vjella dhe diarre.

Por kemi edhe një zgjatje të simptomave të gripit. Kryesisht kolla zgjat 10-15 ditë. Po ashtu edhe infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore.

Mjekët thekojnë se përveç shtamit të virusit, agresiviteti i gripit tek disa pacientë lidhet edhe me mënyrën e trajtimit dhe neglizhimin.

Infeksionet respiratore kanë zbritur në 16 mijë raste në javë, nga 17 mijë që u regjistruan para dy javësh.

Eksperët e ISHP thonë se vendi e ka kaluar pikun e gripit dhe situata paraqitet e qëndrueshme duke u shoqëruar me ulje të numrit të infeksioneve respiratore.

Qytetet me numrin më të larët të prekurve me grip rezultojnë Gjirokastra, Tirana, Gramshi, Fieri dhe Durrësi.