Greqia vë zyrtarisht kusht betimin e Belerit për negociatat

Në mbledhjen e Ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së mbajtur në Bruksel Greqia vendosi kusht ndaj Shqipërisë për negociatat me BE-në në lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.

Ky qëndrim i është bërë e ditur edhe qeverisë shqiptare të cilës i bëhet e qartë se çështja “Beleri”, konsiderohet si provë e shkeljes së kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria si shtet kandidat për anëtarësim në BE në respektimin e parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe prezumimin e pafajësisë.

Gjykata Speciale do të shqyrtojë më 4 dhjetor edhe një herë kërkesën e Fredi Belerit për dhënien e një leje të posaçme për të bërë betimin si kryetar i Bashkisë Himarë para anëtarëve të këshillit bashkiak. Kjo kërkesë është refuzuar deri tani nga autoritetet gjyqësore shqiptare.

Këshilli Evropian duhet të vendose pro ose të shtyjë vendimarrjen për negociatat me Shqipërinë në mbledhjen e 14-15 Dhjetorit.

Shqipëria përfundoi me sukses të premten e kaluar pas 14 muajsh konsultimesh fazën e parë të screening-ut procesi i shqyrtimit të legjislacionit të saj.