Greqi, aksidenti me tren në Tempi ende i pasqaruar

Një vit pas aksidentit të madh me tren ku humbën jetën 57 vetë, publiku grek vazhdon të presë ende për të marrë përgjigje për shkakun e tij. Besimi tek qeveria është në rënie.

Ka kaluar më shumë se një vit që kur ndodhi aksidenti më i madh hekurudhor, i ndodhur ndonjëherë në historinë eGreqisë, ku humbën jetën 57 vetë. Gati të gjithë viktimat ishin të rinj, pjesa më e madhe studente dhe studentë, që ishin duke udhëtuar nga Athina për në Selanik, kur treni i tyre u përplas më 28 shkurt 2023 me një treg mallrash që vinte nga drejtimi i kundërt. 85 pasagjerë u lënduan rëndë. 13 muaj më vonë, aksidenti nuk është sqaruar ende dhe greket dhe grekët janë duke e humbur besimin tek qeveria. Ata kanë frikë se nuk do të gjendet e drejta për viktimat dhe familjet e tyre, sepse qeveria nuk është duke e lejuar këtë gjë.

Më 28 mars 2024 qeveria e kapërceu pa mundim të madh kërkesën e bërë nga opozita për heqjen e votëbesimit, për shkak të trajtimit që i ka bërë aksidentit me tren, si pasojë e të cilit pati shumë të vdekur. Me 158 deputetë nga 300 gjithsej, partia Nea Dimokratia (ND) e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e ka shumicën në parlament. Përveç kësaj ajo ishte në gjendje të merrte edhe votat e deputetëve ekstremistë të djathtë. Por qytetaret dhe qytetarët ata nuk arritën t’i bindin. Përkundrazi: Fjalimet e politikanëve të ND gjatë debatit treditor në parlament tingëlluan si manipulime, sidomos fjalimi i ish-ministrit të Transportit, Kostas Achilleas Karamalis. Ai ka qenë përgjegjës për sigurinë e hekurudhës, kur ndodhi aksidenti, dha dorëheqjen më pas dhe pak më vonë u rizgjodh sërish në parlament.

Manipulime pak orë pas tragjedisë

Arsyeja për të kërkuar votëbesimin kishte të bënte me një artikull të të përjavshmes “To Vima”. Atje pretendohej se incizimet e zërave, që patën përfunduar në duart e mediave orët e para pas përplasjes frontale midis dy trenave, ishin të manipuluara. Në incizime dëgjohet shefi i stacionit të trenit, që i thotë me radio drejtuesit të lokomotivës: “Jepi trenit, ti mund t’i japësh trenit”. Me këto fjalë ai mendohet të ketë nisur të dy trenat në të njëjtën shinë, duke shkaktuar më vonë përplasjen frontale të tyre. Qeveria greke dhe kryeministri Mitsotakis i janë referuar gjithnjë këtij dokumenti zanor duke bërë përgjegjëse për aksidentin “gabimet njerëzore” të punonjësve të hekurudhave.

Të gjitha arsyeve të tjera të mundshme nuk u është kushtuar rëndësi: rrjetit të vjetëruar të hekurudhave greke, mosriparimit të sistemit të sinjaleve të vitit 2019, që ka qenë me defekte, mosdhënia e parave të BE-së, që duhet faktikisht të jepeshin për teknikën e sigurimit, punësimi i një 60-vjeçari të pakualifikuar ithar i partisë në pushtet, si shef stacioni treni dhe shumë arsye të tjera. Opozita pati krijuar tre muaj më parë një komision hetimor parlamentar për t’u marrë me arsyet e aksidentit, por me shumicën që ka në parliament qeveria e pengoi dëgjimin nga komisioni të dëshmitarëve kryesorë.

Zemërimi i familjarëve

Të zhgënjyer thellë nga kjo farsë e hetimeve parlamentare, familjarët e viktimave të Tempit i janë drejtuar Prokurorisë Europiane dhe Parlamentit Europian. Ata nuk kanë më besim tek qeveria dhe kërkojnë drejtësi për fëmijët e tyre. Maria Karystianou, që ka humbur të bijën gjatë aksidentit akuzon se është krijuar një sistem manipulues. „Dokumenti me zë të incizuar tregon edhe më shumë se e vërteta duhet të dalë në dritë. Të gjithë, duke filluar nga lart e deri poshtë duhen dënuar për këtë krim,” thotë ajo.

Familjarët kanë hedhur në internet një kërkesë online, e cila ka gjetur mbështetje të madhe brenda një kohe të shkurtër: Ndërkohë 1,5 milionë greke dhe grekë (gati 15 përqind e popullsisë) kërkojnë heqjen e imunitetit të ministrave dhe ish-ministrave.

Sipas Kushtetutës greke vetëm Parlamenti mund të heqë imunitetin e një ministri. Në këtë periudhë legjislative, partia Nea Dimokratia ka shumicën absolute, dhe me sa duket kërkon medoemos që të mbrojë ish-ministrin Kostas Achilleas Karamanlis, një nip i themeluesit të partisë, Konstantinos Karamanlis dhe farefis i ish-kryeministrit Kostas Karamanlis. “Klani Mitsotakis mbron klanin Karamanlis,” thotë me hidhërim opozita.

“Nuk ju vjen turp?”

Kryeministri Mitsotakis nga ana e tij, e hodhi poshtë akuzën për incizim të manipuluar zëri, duke thënë se kjo „të çon në rrugë të gabuar”. Në fjalimin e tij parlamentar mbajtur para votimit për kërkesën e heqjes së votëbesimit, ai argumentoi duke thënë se autoritetet e drejtësisë kanë patur në dorë që në fillim komplet zbardhjen e inçizimit. „Ju thoni se mua më shkoi në mendje dhe u mora me manipulimin e këtij dialogu. Nuk ju vjen turp të pretendoni një gjë të tillë?”, pyeti ai dhe akuzoi opozitën se është duke e përdorur tragjedinë e Tempit për të marrë pikë për vete në politikë.

Më keq Mitsotakis sulmoi botuesin e gazetës “To Vima”, ku u publikua raporti me informacione delikate: „Është legjitime që sipërmarrësit dhe botuesit të duan të fitojnë ndikim në politikë. Por nëse doni, atëherë futuni vetë në arenën e politikës dhe mos e lini veten të përfaqësoheni nga të tjerët,” tha ai, pa përmendur emrin e botuesit. Mitsotakis kishte parasysh me këtë manjatin e mediave dhe pronarin e anijeve Evangelos Marinakis, mediat e të cilit kanë mbështetur faktikisht gjithnjë partinë Nea Dimokratia dhe sidomos vetë kryeministrin. Me sa duket Mitsotakisi ndihet tani i lënë në baltë nga Marinakisi.

Pak para mbajtjes së fjalimit në parlament nga Mistotakis, dy punonjës të lartë të tij dhanë dorëheqjen, ministri i shtetit Stavros Papastavrou dhe zëvendësministri i kryeministrit, Yiannis Bratakos, të dy pasi e kishin kaluar natën në shtëpinë e Marinakisit. Supozohet se ata të dy ishin duke u përpjekur fshehurazi që të ndreqnin marrëdhëniet midis kryeministrit dhe botuesit, gjë që nuk mendohet të ketë funksionuar.

Mbas debatit të zjarrtë në Parlament, publiku grek kërkon ende përgjigje për aksidentin hekurudhor. Gati nëntë nga dhjetë të pyeturit e një sondazhi të institutit për analizimin e pikëpamjeve, Metron Analysis, thanë se as drejtësia as klasa politike nuk janë marrë me drejtësinë pas tragjedisë së ndodhur. Sundon ndjenja e mosdënimit dhe përpjekjes për manipulim.

Dhjetë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Greqi, është duke rënë besimi tek qeveria e Mitsotakisit. Megjithëse partia konservatore, Nea Dimokratia u zgjodh në qershor të 2023 me 41 përqind të votave sërish në krye të shtetit, një shumicë e madhe qytetaresh dhe qytetarësh janë të bindur se diçka është duke ecur keq në vend. Njerëzit janë të pakënaqur jo vetëm për shkak të fuqisë së ulët blerëse, që sipas Eurostatit është më e ulta në vendet e BE-së, dhe ndihen të pasigurt për shkak të ekonomisë së keqe, por sidomos nga mungesa e besimit tek drejtësia dhe politika. Mossqarimi i aksidentit hekurudhor të Tempit i bën ata të ndjehen të konfirmuar./DW