
Google i futet edhe sektorit të orëve inteligjente
Më e mira nga Google tashmë vjen dhe në dorën tuaj, kështu thotë reklama e gjigandit teknologjik për produktin e saj të ri, një orë inteligjente që mban emrin Pixel, njësoj si smartfoni.
Google prezantoi modelin e orës së parë inteligjente të prodhuar prej saj, duke hyrë zyrtarisht në një sektor të dominuar nga rivali kryesor i saj, Apple.
E gjitha vjen në një periudhë kur konsumatorët janë goditur nga inflacioni aq sa të kenë prirje për të kursyer, sidomos shpenzime në aspektin e veshjeve, apo pajisjeve teknologjike.
Google Pixel Watch, në shitje nga 13 tetori, do jetë me çmim fillestar 350 dollarë, rreth 100 dollarë më shumë se modeli me koston më të ulët të Apple.
Por ora është me qasje të kufizuar vetëm për përdoruesit e telefonave Android.
Ky kufizim do të nxisë probleme në këtë sektor për sa i përket përshtatjes së konsumatorëve me pajisjen e po kështu të vetë tregut.
Aplikacionet e Google punojnë në orët e kompanive si Apple, Samsung dhe Fitbit, të cilat Google i bleu vitin e kaluar, por e kundërta duket se nuk ndodh. Pra aplikacionet e Apple, apo Samsung nuk bëjnë në orën e Google.
Pixel me kornizë të rrumbullakët mundëson pagesat online pa pasur nevojë për kontakt, kontrollin e muzikës dhe aplikacioneve të tjera të zakonshme në orët inteligjente. Ndërkohë një model me lidhje celulare kushton 50 dollarë shtesë.
Po gjatë kësaj jave Google prezantoi edhe modelin e telefonit Pixel 7, të cilin e konsideron telefonin “më të fuqishëm” të nxjerrë ndonjëherë prej saj.
Ky telefon do të kushtojë nga 600 deri në 900 dollarë, ka versione me ekran 6.3 dhe 6.7 inç, kamera me rezolucion më të madh si dhe RAM shtesë.
Megjithëse zë një pjesë të vogël në tregun e telefonave inteligjentë, shitjet e Google janë duke u përshpejtuar. Ajo shiti 3 milionë telefona në gjysmën e parë të këtij viti, më shumë se dyfishi i një viti më parë.
*Tibo News.