Google gjobitet rëndë nga Rusia për “lajme të rreme” rreth luftës në Ukrainë

Një gjykatë në Moskë ka vendosur ta gjobisë me 373 milionë dollarë kompaninë Alphabet, e cila është sipërmarrja qendrore e amerikanëve të teknologjisë Google. Gjoba u arsyetua me pretendimin se kompania ka dështuar të heqë nga rrjeti materiale, të cilat Rusia i konsideron “lajme të rreme” në lidhje me luftën në Ukrainë.

Gjoba, ekuivalente me 21.1 miliardë rubla, kërkohet të shlyhet në monedhën ruse dhe jo në dollarë.

Rusia ka kundërshtuar prej kohësh politikën e platformave të teknologjisë në lidhje me kufizimin ose lejimin e disa lloje materialesh. Mirëpo kundërshtitë janë përshkallëzuar në rrugë ligjore pas konfliktit me Kievin.

Prej muajit shkurt kompanitë që lidhen me rrjetet si Twitter, Facebook, apo Instagram, janë bllokuar në Rusi, mirëpo Alphabet, që kryesisht operon platformën YouTube nga Google, nuk është bllokuar.

Pikërisht platforma YouTube është përdorur shumë nga opinionistë dhe ndikues të ndryshëm për të hedhur poshtë narrativen zyrtare që vjen nga Rusia për sa i përket luftës me Ukraninë. Kjo gjë është kërkuar të rishikohet nga kompania Alphabet teksa një lum kritikash është vërshuar ndaj tyre.

Moska thotë se YouTube nuk i ka fshirë “lajmet e rreme rreth operacionit në Ukrainë” dhe “ka promovuar pikëpamje ekstremiste ndaj Rusisë”. Zyrtarisht Moska thotë se po bën një operacion ushtarak në Ukrainë për të mbrojtur popullsinë ruse nga politikat diskriminuese të Kievit, por fakti që operacioni është shtrirë edhe në qytete ku nuk ka rusë, e hedh poshtë këtë pretendim.

Kompania Google pritet ta apelojë gjobitjen teksa llogaritë bankare të filialit të saj në Moskë janë bllokuar duke ua bërë të pamundur pagesat punonjësve. Gjigandët e teknologjisë amerikane pësuan një gjobë të ngjashme prej rreth 125 milionë dollarësh edhe vitin e shkuar.