Goditi mësuesen me karrige, i riu në Lezhë shfaq pendesë për veprimin

Një ditë pasi mësuesja e matematikës u godit me karrige nga një gjimnazist i vitit të dytë në perimetrin e shkollës së mesme ‘Hydajet Lezha’ u pa një prezencë e shtuar e punonjësve të policisë. Policia lokale rriti sigurinë për të shmangur ndonjë incident pas ngjarjes së të mërkurës.

Pavarësisht se u njoftua një protestë nga mësuesit edhe nxënësit, në gjimnazin e Lezhës mësimi vijoi normalisht. 16-vjeçari i cili plagosi mësuesen u arrestua nga policia ndërsa mbi të rëndojnë dy akuza, plagosje e rëndë me dashje dhe goditje për shkak të detyrës.

Gjatë marrjes në pyetje në prani të prindërve, avokatit dhe psikologut, mësohet se i riu shprehu pendesë për aktin. I mituri e goditi mësuesen me karrige në orën e mësimit pas një debati verbal me të.

Mësuesja Majlinda Palushi përfundoi në spital pasi mori lëndime në pjesën e kokës dhe krahut.

Pas ngjarjes mësimi u ndërpre. Mësuesja e matematikës punonte prej vitesh në këtë gjimnaz.