
Godet Gabrielle! Gjendje e jashtëzakonshme në Zelandën e Re
Zelanda e Re në gjendje të jashtëzakonshme, në herën e tretë nga e gjithë historia e saj. Kjo për shkak të një stuhie që nuk është parë prej shumë vitesh e që njihet si stuhia Gabrielle.
Qeveria e Chris Hipkins ka njoftuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ku bëhet me dije se gati një e treta e popullsisë së vendit prej 5 milionë banorësh jeton në zonat e prekura.
Shumë njerëz janë zhvendosur dhe disa u detyruan të notojnë nga shtëpitë e tyre pasi lumenjtë dolën nga shtrati. Të tjerë janë shpëtuar nga çatitë.
Rreth një çerek milioni njerëz janë pa energji elektrike. Rënia e pemëve ka shembur shtëpi dhe rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar rrugët.
Dëmi i stuhisë ka qenë më i madh në komunitetet bregdetare në bregun verior dhe lindor të ishullit të Veriut me zona si Gjiri Hawke, Coromandel dhe Northland ndër më të goditurat.
Komunikimet me një qytet në rajon janë ndërprerë plotësisht pasi një lumë ka dalë nga shtrati.
Autoritetet e mbrojtjes civile në Hawke’s Bay thanë se nuk mund të përballonin shkallën e dëmit. Australia dhe Britania janë zotuar të ndihmojnë.
Mediat lokale kanë raportuar se disa banorë në gjirin Hawke’s iu desh të kalonin me not përmes dritareve të dhomave të gjumit për të shpëtuar pasi ujërat përmbytën shtëpitë e tyre. Njerëzit janë paralajmëruar se mund të mbeten pa energji për javë të tëra.
Pamjet ajrore të rajoneve të përmbytura treguan njerëz të bllokuar në çati në pritje të shpëtimit.
Situata sipas ekspertëve është tërësisht e paprecedentë.
Urdhri i urgjencës i mundëson qeverisë të përmirësojë reagimin e saj ndaj katastrofës. Është aplikuar në rajonet e Northland, Auckland, Tairawhiti, Tararua, Bay of Plenty, Waikato dhe Hawke’s Bay.
Zelanda e Re ka shpallur më parë një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare vetëm në dy raste – gjatë fillimit të pandemisë Covid-19 dhe pas tërmetit të Christchurch të vitit 2011.
Qeveria ia atribuon shkallën e katastrofës ndryshimeve klimatike
*Tibo News