Gjykata gjermane dënon me burgim të përjetshëm kolonelin sirian

Një kolonel sirian është dënuar me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit në një gjyq historik në Gjermani.

Koloneli 58-vjeçar Anwar Raslan akuzohet për torturimin e mbi 4000 njerëzve në luftën civile të Sirisë në një burg të njohur si “Ferri në Tokë”.

Gjyqi në Koblenz është çështja e parë penale në botë e udhëhequr nga shteti për torturën në Siri.

Shefja e OKB-së për të drejtat, Michelle Bachelet e vlerësoi dënimin si një “hap historik përpara” në ndjekjen e së vërtetës.

Raslan u akuzua se ishte një oficer i lartë i shërbimit të sigurisë nën Presidentin Bashar al-Assad, ndërsa protestat masive antiqeveritare u shtypën me dhunë në 2011.

Shumë protestues dhe të tjerë të dyshuar se kundërshtonin regjimin u mblodhën dhe u ndaluan në burgun Al-Khatib në Damask, ku Raslan drejtonte operacionet.

Ai u akuzua për 58 vrasje, si dhe për përdhunim dhe sulm seksual, dhe torturë të të paktën 4,000 njerëzve midis 2011 dhe 2012.

Vendimi është i rëndësishëm, veçanërisht për ata që i mbijetuan Al-Khatib dhe dhanë dëshmi gjatë gjyqit.

Një gjykatë penale ka pranuar zyrtarisht se krimet kundër njerëzimit janë kryer nga regjimi i Asadit kundër qytetarëve të tij.