Gjykata franceze lë në fuqi vendimin ndaj Google

Gjykata franceze e apelit la në fuqi një gjobë prej 150 milionë eurosh të vendosur kundër Google për shpërdorim të pushtetit të saj në trajtimin e reklamuesve, tha të enjten një zëdhënës i firmës amerikane.

Mbikëqyrësi antitrust i Francës, i cili vendosi gjobën në vitin 2019, tha në vendimin e tij atëherë se Google zbatoi rregulla të “errëta” reklamimi dhe i ndryshoi ato sipas dëshirës.

Ishte dënimi i parë i vendosur nga autoriteti i konkurrencës ndaj Google.

“Pas vendimit të autoritetit francez të konkurrencës, ne kemi bërë tashmë disa ndryshime për t’i bërë këto politika edhe më të qarta dhe tani do të studiojmë vendimin e gjykatës në detaje dhe do të shqyrtojmë hapat tanë të ardhshëm,” tha zëdhënësi i Google.

Dy nga urdhrat e mbikëqyrësit që shoqëruan gjobën prej 150 milionë eurosh u anuluan, tha Google.

E para revokoi një urdhër që e detyronte atë të vendoste një mjet që lejonte konsumatorët francezë të parashtronin ankesa.

Urdhri i dytë i rrëzuar e bëri të detyrueshme që Google të lëshonte një raport vjetor që detajonte numrin e faqeve të internetit, llogaritë e Google Ads të të cilave u pezulluan për shkelje të rregullave të tij dhe natyrën e rregullave që u shkelën.

Google Ads është porta hyrëse për reklamuesit që dëshirojnë të shfaqen në seksionin e sponsorizuar të rezultateve të kërkimit.