Gjykata dënon me burg kryebashkiakun e Stambollit

Një gjykatë në Turqi ka dënuar me burg kryetarin e Bashkisë së Stambollit pak muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare duke tensionuar jo pak klimën politike.

Ekrem İmamoğlu u dënua me dy vite e shtatë muaj burg për fyerje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Zgjedhor në një gjyq mjaft të diskutuar të nisur që vitin e shkuar.

Gjykata e ndalon İmamoğlun të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të parashikuara për në qershor të vitit 2023.

Kryebashkiaku 52-vjeçar, i cili i përket partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane, pritet të apelojë vendimin.

Vendimi i gjykatës përfundimisht mund të bëjë që İmamoğlu të hiqet nga detyra.

Kritikë të ndryshëm e kanë konsideruar gjyqin një përpjekje për të eliminuar një kundërshtar kyç të presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Mijëra protestues u mblodhën para ndërtesës së bashkisë në Stamboll të mërkurën për të kundërshtuar vendimin.

İmamoğlu u zgjodh për të udhëhequr Stambollin, qytetin më të populluar të Turqisë, në mars 2019.

Fitorja e tij ishte një goditje historike për Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, e cila kishte kontrolluar Stambollin për 25 vjet.

Pas pretendimit se kishte parregullsi me rezultatet fillestare të zgjedhjeve komunale, një votim i përsëritur gjithashtu bëri që İmamoğlu të fitonte.

Kryebashkiaku popullor i Stambollit u akuzua për fyerje të zyrtarëve të lartë publikë pasi ai e përshkroi vendimin e tyre për të anuluar fitoren e tij në zgjedhje si një akt “marrëzie”.

İmamoğlu mohoi akuzat për fyerje dhe tha se komentet e tij ishin në përgjigje të komenteve përçmuese të ministrit të Brendshëm turk Süleyman Soylu.

Kryebashkiaku i Stambollit shihet si një yll në ngritje i politikës turke dhe një kandidat i mundshëm për të sfiduar presidentin Erdogan në zgjedhjet e qershorit.