Gjukanoviç shpërndan Parlamentin e Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç ka shpërndarë Parlamentin sot dhe sipas Kushtetutës ai tani duhet që deri më 17 mars të njoftojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit vjen tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat garon edhe Gjukanoviçi. Qeveria aktuale e Dritan Abazoviçit para shtatë muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022..

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020. Zgjedhjet e reja që do të shpallen do të jenë të gjashtat që Mali i Zi ka mbajtur që nga pavarësia më 2006.