
Gjirokastra, qyteti i gurtë që mbërthen me magji
Gjirokastra, një qytet që shquhet jo vetëm për bukurinë, objektet arkeologjike, por dhe historinë e saj është ndër zonat më turistike të jugut të Shqipërisë.
Kalaja e Argjirosë, qyteti antik i Antigonesë, parku i Viroit janë vetë një pjesë e vogël e pasurive turistike që ofron ky qytet.
Zona historike është ajo pjesë e qytetit që tërheq më së shumti turistët. Ndërsa zbresin në “Sheshin e Çerçizit”, aty ku si me thikë ndahet e shkuara me të tashmen, udhëtimi drejt pasurive të paeksploruara të Gjirokastrës fillon nga rruga më e bukur e qytetit, aty ku motivet e qilimta të kalldrëmit nuk mund t’i shpëtojnë syrit të turistëve dhe përjetëzimit në aparatet fotografike.
Kalaja e Gjirokastrës ofron për vizitorët e saj një ndërthurje epokash, historish e ngjarjesh, dhe udhëtimi i turistëve në Gjirokastër nis pikërisht prej këtu. Kalaja e Argjiros, objekti i parë i vizituar nga turistët dhe jo vetëm. Vendi kryesor i fotove dhe videove të ditës më të bukur të jetës së një çifti të ri.
Kalaja, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e saj është më e hershme.
Kulmin e historisë së vet, kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh e ndërhyrjesh që i dhanë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike e ndërtimore që ka sot.
Një ndër to është edhe Kulla e Sahatit në anën lindore dhe ndërtim i ujësjellësit që sillte ujë në kala nga afro 12km largësi.
Kulla e sahatit, objektet e kultit, kullat e princeshës, burgu famëkeq i 7 penxhereve apo muzeu kombëtar i armëve janë disa prej objekteve të cilat mund t’i vizitoni në kalanë e Argjiros.
I hapur më 1932, “Burgu i 7 penxhereve” u përdor fillimisht nga Mbreti Zog e më pas nga pushtuesit nazi-fashistë dhe më tej nga regjimi komunist deri në vitin 1968. E vizitueshme është vetëm pjesa që u kthye muze nga regjimi në vitet ’70.
Gjirokastra është qyteti i ndërtuar nga të kamurit e dikurshëm, kryesisht familjet e tregtarëve të suksesshëm, që e patën zgjedhur këtë faqe mali pikërisht për pamjen madhështore që të ofron dhe është kjo arsyeja pse shtëpitë e vjetra karakteristike gjirokastrite është kaq e vështirë për t’i ruajtur në gjendjen e tyre fillestare.
Gjirokastra është vendlindja e shumë njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë, si Eqrem Çabej, Ismail Kadare, apo Musine Kokalari. Gjithashtu në këtë qytet mund të vizitohet shtëpia e ish-diktatorit Hoxha, e cila në periudhën e komunizmit u rikonstruktua dhe u kthye muze etnografik.
Kulinaria e jugut përcillet në pjatat karakteristike gjirokastrite që gërshetohet me gatimet moderne të restoranteve apo bujtinave ku dallojnë qifqitë, sarmatë, lakrori etj.
Por krahas qytetit nuk duhet lënë pa vizituar edhe zona antike e Antigonesë, ecili prej vitesh mban statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik.
Ajo ndodhet 16km larg qytetit të Gjirokastrës dhe vijon te mbetet një nga resuret më të njohura e të preferuara në jug të vendit.
Antigonea u ndërtua rreth shekullit të III para Lindjes së Krishtit. Ajo u dogj 150 vjet më vonë gjatë lufërave iliro-romake. Ishte qyteti i dytë më i madh i Epirit më një sipërfaqe 47ha dhe mure rrethues 4 mijë metra.
U rizbulua pas dhjetëra shekujsh harrese nga Dhimosten Budina, në ekspeditën e nisur në vitet ’70 në kodrën e Jermës pranë fshatit Saraqinishtë, që në greqisht do të thotë “vend i djegur”.
Por 14 km më larg qytetit të Gjirokastrës, shumë pranë rrugës nacionale Gjirokastër – Kakavije, pranë fshatit Sofratikë, ndodhet teatri antik i Adrianopolit, me një pozicion mjaft të favorshëm për zhvillimin e turizmit të zonës.
Gërmimet e para në këtë teatër janë bërë gati 25 vjet më parë nga Instituti i Arkeologjisë. Deri pak vite më parë madhështia e këtij qyteti shfaqej vetëm në dy objekte, teatri dhe nekropoli. 10 ekspeditat italo- shqiptare kanë nxjerrë në dritë një pjesë tjetër të qytetit, që prej më shumë se 20 shekuj ishte i mbuluar nga aluvionet e lumit Drino.
Parku i Viroit është një tjetër pikë që nuk mund të mbetet pa vizituar nëse shkon në Gjirokastër.
*Tibo News.