
Gjigandi i hidrokarbureve Shell investon në sektorin e energjisë nga dielli
Gjigandi i prodhimit të naftës, Royal Dutch Shell, do të blejë kompaninë afrikane të prodhimit të energjisë përmes diellit, Daystar Power.
Shell është një nga kompanitë më të mëdha të naftës në Afrikë, por blerja e Daystar është blerja e saj e parë në sektorin e prodhimit të energjisë së përtëritshme në këtë kontinent.
Kompania synon të përgjysmojë emetimet e gazeve serrë deri në vitin 2030. Për këtë sheh si investim të leverdishëm kalimin te energjia e përtëritshme.
As Shell dhe as Daystar nuk komentuan çmimin e shitjes. Shell caktoi këtë vit rreth 3 miliardë dollarë shpenzime kapitale për energjinë e përtëritshme.
Daystar, me seli në Lagos, ofron energji jashtë sistemit të transmetimit për sipërmarrjet industriale në Gana, Nigeri, Senegal dhe Togo, duke ofruar zgjidhje me energjinë e diellit dhe panele hibride me ruajtje të energjisë përmes baterive.
Ajo ka 300 instalime me kapacitet diellor prej 32MW, por synon ta dhjetëfishojë kapacitetin në 400 MW deri në vitin 2025.
Ajo gjithashtu planifikon të zgjerohet në Afrikën lindore dhe jugore, një objektiv që shihet më i arritshëm nën zotërimin e Shell.
Në pritje të miratimeve nga autoritetet, Shell do të zotërojë plotësisht Daystar, por kompania do të vijojë të drejtohet nga i njëjti staf ekzekutiv.
Divizioni i burimeve të rinovueshme dhe zgjidhjeve të energjisë së Shell përbënte 6% të fitimeve të kompanisë në tremujorin e dytë të vitit 2022, por shefi i ri ekzekutiv Wael Sawan, i cili mori detyrën në janar, po rrit përpjekjet për energji më të pastër.
*Tibo News.