Gjermania i afrohet racionimit të gazit

Pas rënies së furnizimeve nga Rusia, Gjermania ka bërë një hap më afër racionizimit të gazit.

Vendi ka njoftuar mbi fazën e “alarmit” të një plani emergjent të gazit për t’u marrë me mungesat. Kjo është vazhdë e një përplasjeje midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se Rusia po përdor gazin “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së.

Ai shtoi se gjermanët do të duhet të reduktojnë konsumin.

“Është padyshim strategjia e Putinit për të krijuar pasiguri, për të rritur çmimet dhe për të na ndarë ne si shoqëri”, shtoi ai. “Kjo është ajo që ne po luftojmë”.

Habeck tha se “shpresojmë se nuk do të ketë kurrë nevojë” për racionimin e gazit për industrinë gjermane, por ai shtoi: “Sigurisht, nuk mund ta përjashtoj si mundësi”.

Gjermania tani ka kaluar në fazën e dytë të planit të saj tre-pjesësh të emergjencës, i cili shkaktohet kur ka ndërprerje ose kërkesë shumë të lartë për gaz.

Ajo ushtron më shumë presion mbi furnitorët dhe operatorët e rrjetit për të balancuar ndërprerjen duke marrë masa të tilla si gjetja e burimeve alternative për gazin.

Megjithatë, vendi nuk lejoi që shoqëritë të kalojnë kostot në rritje te klientët, megjithëse kjo teorikisht është e mundur në fazën e dytë.

Firmat e gazit tashmë duhej të siguronin furnizime sipas fazës së parë të planit të emergjencës, ndërkohë që operatorët e rrjetit të gazit raportonin në Ministrinë e Ekonomisë të paktën një herë në ditë dhe operatorët e rrjetit të energjisë elektrike duhej të siguronin stabilitetin e rrjetit.

Ndërhyrja e shtetit do të ndodhte në fazën e tretë kur ka një ndërprerje të konsiderueshme të furnizimit, të cilin tregu nuk mund ta përballojë, që do të thotë se furnizimet janë të racionuara.

Në fazën e tretë, së pari do të kufizohej furnizimi për industrinë, ndërsa familjet dhe institucionet kritike si spitalet do të vazhdonin të merrnin gazin në dispozicion.

Dymbëdhjetë vende të Bashkimit Evropian janë prekur tani nga shkurtimet e furnizimit me gaz nga Rusia.

Rusia uli flukset përmes tubacionit të saj Nord Stream 1 në 40% të kapacitetit javën e kaluar duke përmendur problemet me pajisjet, duke prekur vendet përfshirë Gjermaninë.

Ajo kishte shkurtuar tashmë furnizimet me gaz në Poloni, Bullgari, Holandë, Danimarkë dhe Finlandë për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një skemë të re pagese.

*Tibo News.