
Gjermania bën gati paketën anti-krizë prej €200 mld
Gjermania ka miratuar një tjetër “paketë ekonomike” për të përballuar efektet financiare që pritet të ketë vendi gjatë dimrit.
Paketa do të jetë rreth 200 miliardë euro dhe u njoftua nga Kancelari Olaf Scholz. Paketa do të vijë kryesisht për të mbuluar çmimin e shtrenjtuar i energjisë.
Ekonomia më e madhe e Evropës po përgatitet për një dimër me shkëputje të mundshme të energjisë.
Ndër masat është edhe ndërhyrja për të frenuar rritjen e çmimeve të gazit.
Berlini do të heqë gjithashtu një tarifë të planifikuar më parë të gazit për konsumatorët.
Për të ndihmuar në mbajtjen e dritave ndezur, dy termocentrale bërthamore, të cilat ishin parashikuar për t’u mbyllur do të lejohen të vazhdojnë punën, të paktën deri në pranverë.
Gjermania do ta financojë gjithashtu huamarrjet e reja dhe ka lënë mënjanë limitet e mëparshme për borxhin e ri.
Scholz ka thënë se vendi është i përgatitur mirë. Kancelari gjerman ka siguruar gjermanët se financat publike janë të qëndrueshme kjo falë një politike të kujdesshme ndër vite.
Kostoja e gazit është rritur ndjeshëm në Evropë që kur Rusia ndaloi furnizimet si reagim ndaj sanksioneve për luftën në Ukrainë.
Bllokimi i furnizimeve ka detyruar Gjermaninë të shtetëzojë importuesin kryesor të gazit, kompaninë Uniper, e cila ishte në rrezik falimenti.
*Tibo News.