Gjermani, rriten shqetësimet për gjendjen e sigurisë

Politikani i të Gjelbërve, Konstantin von Notz, i cili kryeson Komisionin e Kontrollit të Inteligjencës, shprehu shqetësimin për situatën e sigurisë në Gjermani pas sulmeve te shumta. Situata e sigurisë, e cila edhe më parë ishte “mjaft e tensionuar” ndër të tjera për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, “është përkeqësuar ndjeshëm tani pas ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Përfaqësuesit e disa institucioneve kompetente iu përgjigjen pyetjeve të komisionit të Bundestagut përgjegjës për kontrollin e shërbimeve të inteligjencës në një seancë të hapur për publikun duke përfshirë kryetarët e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV), Shërbimit Informativ Gjerman (BND) dhe Zyrës Federale për Kundërzbulimin Ushtarak. Duhet të diskutohen edhe aktivitetet ruse, me të cilat Kremlini po përpiqet të ushtrojë ndikim në Gjermani.