Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Kuvendi mban 1 minutë heshtje

Këtë të enjte Kuvendi nisi me një minutë heshtje. Kjo pasi deputetët u ngritën në këmbë dhe përkujtuan ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se:

“Përpara se të fillojmë me rendin e ditës ju bëj me dije se nisur nga fakti se data 27 Qershor është shpallur në kalendarin kombëtar si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” është kërkuar mbajtja e një minutë heshtjeje në përkujtim të viktimave të gjenocidit”.

Ndërkohë që një fjalim mbajti edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i cili tha se masakra ndaj të parëve nuk falet dhe as nuk harrohet.

“Një nga spastrimet etnike më të egra në historinë e Shqipërisë. Shumë mund të thonë që kanë kaluar kaq shumë vite, por gjenocidi nuk ka moshë. Unë dhe kolegët deputetë jemi për t’ju thënë se memoria e një kombi është më e madhe se e një njeriu. Ajo shkon nga brezi në brez. Jam këtu për ta sqaruar dhe për ta thënë më me forcë sepse masakra ndaj të parëve tanë ne nuk i falim, nuk i harrojmë, por i nderojmë sot dhe në çdo ditë të qenies sonë”.