Gjendet piktura 400-vjeçare, që vlen miliona dollarë

Kryevepra 400 vjeçare, të cilës ekspertët i kanë vënë vlerën e miliona dollarëve, është gjetur në një magazinë në Australi.

 

Vepra e artit e quajtur “Still Life”, u mbajt për shumë vite në muze, por përgjatë viteve kishte mbetur gjithnjë në hije.

Piktura e realizuar në shekullin e 17-të, u zbulua mes një koleksioni prej 60 000 pikturash, pjesë e veprave të muzeut të cilat iu dhuruan Fondit Kombëtar të Australisë.

Piktura tregon një tavolinë të mbuluar përgjysmë nga një shtrojë e bardhë e zhubrosur, një kek i sapofilluar, arra, bukë dhe enë qelqi.

“Kjo është një kohë shumë e pazakontë dhe emocionuese,” tha Julian Bickerstuth, koordinator i projektit dhe CEO i International Conservation Services, kompania që kryen punën e restaurimit, në një deklaratë për shtyp të dielën.

Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djali i piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz.

Heda, njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze, por megjithatë ekspertët janë ende duke e hetuar origjinën e saktë të “Still Life”.

Nënshkrimi i Hedës mbi pikturë, është shumë i ngjashëm me atë të babait të tij dhe ndaj dyshimet janë, se kjo vepër e rrallë, mund të jetë edhe një bashkëpunim babë e bir.

Një zëdhënëse e fondit tha se vlera e veprës së artit është ende duke u vlerësuar, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë australianë.

“Gjetja e një pikture origjinale nga shekulli i 17-të në kasafortën time të Trustit Kombëtar ishte absolutisht e mahnitshme, më magjepsi kaq shumë,” tha Rebecca Benchin, Drejtore e Koleksioneve të Trustit Kombëtar, në një deklaratë për shtyp.

 

Piktura do të ekspozohet më 14 maj, si pjesë e Festivalit Australian të Trashëgimisë 2022 në Woodford Academy, Blue Mountain.