AlbanianEnglish

Gjelin e detit blijeni në Baldushk për disa arsye, thotë Veliaj

Teksa po afrojnë festat e fundvitit, në Baldushk u hap sot, për të gjashtin vit radhazi, tregu tradicional i gjelave të detit. Këtë vit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se në treg do të shiten 45 mijë shpendë të zonës. Gjatë vizitës në këtë treg, së bashku me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës e jo vetëm, që ta blejnë gjelin këtu dhe të kontribuojnë për ekonominë lokale, pasi në këtë mënyrë ndihmojnë fermerët që i përkushtohen rritjes së tyre.

“Nuk ka asnjë dyshim se gjeli i Baldushkut është më i miri, më organiku, më i shëndetshmi. Është i pazëvendësueshëm në tavolinat e Vitit të Ri. Ka shumë njerëz që pyesin: “Si mund të ndihmoj”, të cilëve u them: mund të blesh një gjel këtu sepse kështu ndihmon ekonominë lokale. Kemi një Tiranë urbane me financa dhe para, që është pjesa më vitale e qytetit, por kur vjen puna te gjenerimi i ekonomisë, Tirana është e rrethuar me një super kurorë rurale, ku prodhohet mishi i gjelit, djathë, kos dhe gjalpë, ku prodhohet vaji i ullirit, vera dhe rakia më e mirë. Qytetet e tjera e kanë zili një kombinim të tillë, ku hapësira urbane të jetë e rrethuar me gjithë këtë pajë dhe pasuri të jashtëzakonshme të fshatit dhe fermës”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në pah një karakteristikë që banorët e ruajnë me fanatizëm në mirërritjen e gjelave, siç është ajo e mos përdorimit të elementëve të dëmshëm në ushqimin e tyre, por vetëm me produkte bio.

“Fermerët janë subvencionuar më shumë këtë vit për çdo krerë, ka pasur më shumë kujdes mjekësor. Fakti që analizat e gjelit tregojnë se nuk kanë toksina, as antibiotikë, e bëjnë të gatshëm këtë produkt – edhe nga ana ligjore të bëjnë certifikimin si një produkt organik – që fama, reputacioni dhe ekonomia që gjeneron gjeli i Baldushkut të shkojë përtej Tiranës dhe të kemi mundësinë që këtë brand ta çojmë, jo vetëm në të gjithë Shqipërinë dhe rajon, por edhe më tej në Europë. Kur mendoj se sa shumë mish të ngrirë konsumojmë, që vjen nga Argjentina dhe Brazili, me gjithë respektin për to, por ja ku kemi katundet tona, ushqimin tonë bio, që e certifikojmë vetë, e kontrollojmë vetë dhe e shikojmë vetë me sy, e dimë kur është koha për konsum, cilat janë analizat. Ndaj, besoj fort se gjithnjë e më shumë njerëzit po bëhen të ndjeshëm, që edhe paranë e tyre ta konsumojnë, jo vetëm për patriotizëm brenda vendit, por edhe për cilësi brenda vendit”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ai ftoi këdo që ka vendosur të festojë Vitin e Ri me gjelin e detit të vizitojë tregun e Baldushkut, si një kontribut dhe vlerësim për mundin e djersën e banorëve lokalë.

“Sot, ftesa për të gjithë është: Nuk ka Vit të Ri pa gjelin e detit të Baldushkut! Nxitoni! Këtu kemi vetëm një ekspozitor, pra çdo familje ka vetëm disa krerë, për të treguar cilësinë, por në treg kemi 45 mijë krerë. Mund t’i prenotoni të gjallë, të përgatitur, mund t’i prenotoni edhe të gatuar nga shumë prej bujtinave që janë këtu në Baldushk. Të gjitha këto procese prodhojnë ekonomi. Unë e them dhe do vazhdoj ta them: Kur dikush blen një gjel nga Baldushku ose nga fermat e katundet tona, nuk ka blerë vetëm vaktin e Vitit të Ri, ka blerë gjithashtu edhe librat e shkollës së një goce të vogël, ka blerë atletet e një çuni të vogël, që do shkojë në stërvitje, i ka blerë tjegullat një familjeje që do rregullojë shtëpinë, i ka blerë plastmasin një fermeri që do rregullojë serën; pra, ka kontribuar vërtet me solidaritet në një zinxhir të madh, që ngre lart shumë prej familjeve që i kushtojnë 51 javë të vitit këtij procesi dhe kanë vetëm një javë ku mund të shesin dhe mund të rikuperojnë gjithë mundin dhe gjithë djersën e tyre,” tha ai.

Nga ana e saj, ministrja Krifca tha se po punohet për ta markuar gjelin e Baldushkut, duke e regjistruar si produkt autokton. “Më vjen shumë mirë që ky treg është bërë traditë e çdo fundviti, sepse gjeli i Baldushkut përbashkon familjet shqiptare. Gjeli i Baldushkut do të jetë në programet tona të punës, për t’i dhënë edhe shumë vlerë, duke e regjistruar si produkt, si një markë cilësie. Këtu do të jenë veterinerët tanë. Më vjen mirë të konstatojmë prej tyre se nga analizat e bëra nuk ka pasur asnjë mbetje antibiotikësh në product, që do të thotë se bëhet fjalë për një produkt të mirëmbajtur, organik, të rritur me prodhime të shëndetshme. Ftesa ime për të gjithë konsumatorët shqiptarë, sidomos për qytetarët e Tiranës, është të vijnë dhe të blejnë gjelin e Baldushkut këtu në Baldushk. Më erdhi mirë të shoh që një pjesë e tyre janë të shitur, kështu që ju duhet të nxitoni që të bëni porosinë tuaj,” ishte thirrja e ministres Krifca.

*Tibo News

You don't have permission to register