Gazprom njofton europianët se s’ua garanton furnizimet

Kompania ruse “Gazprom” ka nisur të njoftojë sipërmarrjet evropiane se për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme” nuk ua garanton furnizimin me gaz.

Përmes një shkrese dërguar kompanive të ndryshme në BE, “Gazprom” përmend një nga pikat e parashikuara në kontratat e furnizimeve ku “për shkak të një force madhore shërbimi mund të ndërpritet”. Shkresa bën fjalë për një situatë të nisur të paktën prej muajit qershor.

“Forcat madhore” konsiderohen kryesisht fatkeqësitë natyrore si thatësirat, zjarret, përmbytjet, apo tërmetet, të cilat kushtëzojnë ose e pamundësojnë shlyerjen e një detyrimi kontraktor.

Gazprom nuk e ka sqaruar qartë se çfarë nënkupton me “forcë madhore”. Mirëpo njoftimi vjen pas një përshkallëzimi tjetër të embargos ekonomike nga Perëndimi për shkak të luftës që Rusia po bën në Ukrainë.

Një burim rus i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “një forcë madhore e pamundëson furnizimin nga rrjedha veriore e gazsjellësit me BE-në dhe aktualisht është duke u riparuar”. Gjermania është furnizuesja kryesore nga ky gazsjellës. Kompania gjermane Uniper, e cila mori një letër të ngjashme, e ka kundërshtuar pretendimin e Gazprom si “të pajustifikueshëm”.

Bashkimi Europian druhet se Moska do ta mbajë të mbyllur gazsjellësin verior si përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura për luftën. Në këtë mënyrë kriza e energjisë pritet të përshkallëzohet më tej në Evropë.

Zyrtarisht BE synon të ndërpresë përdorimin e hidrokarbureve nga Rusia brenda vitit 2027. Për këtë po sheh për alternativa të tjera burimesh energjitike.