Gazprom do të reduktojë furnizimet e gazit në 20%

Gjiganti rus Gazprom njoftoi këtë të hënë se do të reduktojë furnizimet ditore të gazit përmes gazsjellësit Nord Stream për shkak të nevojës për mirëmbajtjen e një turbine duke filluar nga kjo e mërkurë.

“Që nga ora 7:00 me orën e Moskës (4:00 GMT), produktiviteti ditor i stacionit të pompimit Portovaya do të jetë 33 milion metra kub në ditë,” njoftoi kompania në kanalin e saj Telegram. Kjo është e barabartë me 20% të kapacitetit maksimal të tubacionit. Gazprom argumentoi se reduktimi është për shkak të nevojës për të riparuar një turbinë të dytë, përveç asaj që ishte dërguar tashmë në Kanada dhe aktualisht është në rrugën e saj për t’u riinstaluar.

Nord Stream, me një kapacitet prej 167 milionë metra kub sipas Gazprom, lidh Rusinë me Gjermaninë përtej Detit Baltik. Është një infrastrukturë strategjike për furnizimin me gaz në Evropë, shumë e varur nga burimet energjetike ruse.

Furnizimi me gaz natyror rus ishte ndërprerë plotësisht për dhjetë ditë në korrik për shkak të punëve të mirëmbajtjes. Pas pauzës, Nord Stream filloi më 21 korrik me një kapacitet prej 40%, të cilit i ishte reduktuar tashmë gjatë muajit qershor.

Për qeverinë gjermane, ky është një vendim “politik” dhe një “pretekst” për të ushtruar presion ndaj Perëndimit në kontekstin e konfliktit në Ukrainë. “Sipas informacioneve tona, nuk ka asnjë arsye teknike për të reduktuar dërgesat,” tha një zëdhënëse e Ministrisë Gjermane të Ekonomisë.

Vendet perëndimore akuzojnë Moskën se përdor energjinë e saj si armë në përgjigje të sanksioneve të miratuara për pushtimin. Nga ana tjetër, Kremlini siguron se sanksionet janë origjina e problemeve teknike që ka gazsjellësi.