
Gazetarja ukrainase që u vra nga rusët
Prodhuesja ukrainase e lajmeve Oleksandra Kuvshynova, e njohur me emrin Sasha vdiq gjatë një sulmi rus në Irpin.
Më 14 mars 2022, Sasha u largua nga Kievi në një detyrë me reporterin Benjamin Hall dhe kameramanin Pierre Zarkrzewski. Ajo kishte një kontratë me Fox për rreth dy muaj për të raportuar në terren luftën.
Destinacioni i tyre ishte Irpin, një qytet në veriperëndim të Kievit që ishte sulmuar ditët e fundit, sipas një postimi në Telegram nga Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Burime që citojnë njerëz të afërt me situatën thanë për “Insider” se ekipi i Fox nuk është shoqëruar nga personeli i sigurisë gjatë gjithë rrugës. Një zëdhënës i Fox News tha për “Insider”: “Ekipi ynë i sigurisë e dinte saktësisht se ku ishin. Ne e dinim se ku i kishim zbritur, ku po shkonin dhe ku përfunduan.”
Pranë Horenka, një fshat që ishte nën sulm të rëndë nga Rusia, një shpërthim goditi makinën e tyre. Shpërthimi i vrau të gjithë, përveç Hall-it, i cili u lëndua rëndë, duke humbur njërën këmbët dhe shikimin në njërin sy.
Në javët që kur ajo vdiq, “Insider” foli me babanë e Sashës, disa nga miqtë e saj, Fox News dhe gazetarë në Kiev që bënin punë të ngjashme për të mësuar më shumë rreth asaj që ndodhi atë ditë, rreziqet me të cilat përballen prodhuesit vendas dhe si ishte Sasha.
Fox News nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme të udhëtimit, duke përmendur sigurinë e stafit të saj ende në Ukrainë. Zyrtarët ushtarakë dhe autoritetet në Kiev gjithashtu nuk pranuan të komentojnë.
Sipas ligjit ndërkombëtar, gazetarët nuk janë objektiva legjitime ushtarake. Vrasja e qëllimshme e civilëve, një kategori që përfshin gazetarët, është një krim lufte.
Pyetja që familjarët e Sashës dhe mediat e tjera kërkojnë është: “Pse Sasha dhe ekipi i saj përfundoi në Irpin, kur ngjarjet aty ishin dokumentuar tashmë?”