Gati gjysma e gjermanëve dhe francezëve janë kundër Shqipërisë në BE

Thuajse gjysma e francezëve dhe gjermanëve mendojnë se Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sipas YouGov. 43% e francezëve të anketuar në vitin 2022 janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndryshe nga viti 2018 ku përqindja ishte 56%. Edhe popullsia gjermane duket se ka deri diku të njëjtin mendim, pasi 44% e tyre mendojnë se Shqipëria nuk është gati për të qenë pjesë e BE. Sa i përket vendeve të tjera të Europës si Spanja dhe Italia, ka një raport të përmbysur. 40% e spanjollëve në vitin 2022 janë dakord që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa 24% janë kundër. Vendi që është më përkrahës që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së prej këtyre është Italia, ku 45% janë pro dhe 27% kundër. Qytetarët e këtyre katër vendeve të Europës, sipas sondazhit ndajnë me përafërsi të njëjtin qëndrim edhe në raport me vendet e rajonit si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja Hercegovina. Shteti për të cilin katër vendet e Unionit janë më shumë dakord për anëtarësimin e tij në BE është Norvegjia, ku mbi 70% popullsisë së këtyre vendeve është pro, dhe nën 10% kundër.  Anketimi është bërë nga kompania ndërkombëtare e të dhënave YouGov, që mat opinionin publik për çështje të ndryshme përmes sondazheve.