
Gara e vështirë e zhvillimit të robotëve humanoidë
Kompania e njohur e prodhimit të makinave elektrike, Tesla, ka një plan ambicioz, pajisjen e fabrikave të saj me mijëra robotë humanoidë.
Me këtë plan duket se nuk është vetëm Tesla.
Prodhuesit e tjerë të makinave, si Honda dhe Hyundai, kanë eksperimentuar gjithashtu me robotikën për të zgjeruar prodhimin e automatizuar në fabrikat e tyre.
Por edhe ato kanë përballë një mal me vështirësi dhe rrezikun për të dështuar.
Krijimi i robotëve të ngjashëm me njerëzit ka qenë një objektiv disavjeçar për dhjetëra kompani të teknologjisë.
Në rastin e Teslës, robotët e saj humanoidë, Optimus, do të përdoren fillimisht në prodhim dhe logjistikë për të adresuar kryesisht mungesën e fuqisë punëtore në sektorë ku puna është rutinë.
Në plan afatgjatë, Musk ka thënë se robotët e Teslës mund të përshtaten edhe për punët e shtëpisë, për të bërë darkën, për t’u kujdesur për kopshtin apo për të moshuarit.
Por këta robotë janë të shtrenjtë dhe ashtu si makinat me autopilotë, robotët humanoidë kanë probleme përballë situatave të paparashikueshme.
Ekspertët thonë se për të pasur sukses, Teslës do t’i duhet të tregojë se robotët e saj mund t’ia dalin përballë situatave të ndryshme, pak a shumë siç bëjnë njerëzit.
Në fakt ky problem duket i gjithanshëm për të gjitha kompanitë.
Roboti dykëmbësh Asimo i prodhuesit japonez të makinave, Honda, ka shërbyer si imazhi kryesor i kompanisë. Por pas më shumë se dy dekadash ai ende nuk është hedhur në treg.
Për momentin Honda ka përqendruar vëmendjen te modelet e robotëve që mund të ndihmojnë për fatkeqësitë natyrore, apo robotët “Avatar” që mund të shërbejnë për operacionet në distancë. Objektivi është nxjerrja e tyre brenda vitit 2030.
Kompania tjetër, Boston Dynamics bëri bujë me videot e robotit të saj humanoid që vrapon, kthehet prapa dhe kërcen. Por kompania amerikane rezultoi me humbje dhe ndërroi pronarë disa herë, nga Google, te SoftBank e më pas Hyundai.
Kompani të tjera kanë provuar gjithashtu këtë sektor. Në vitin 2020, Ford bleu dy modele robotësh humanoidë, Digit, nga Agility Robotics me bazë në Oregon.
Prodhuesi i makinave donte të testonte dorëzimin automatik të një porosie në pragun e një dere nga një automjet transporti. Modeli mbetet ende në fazën testuese dhe duket larg hedhjes në treg.
Nga viti 2007 deri në 2012, General Motors dhe NASA qenë bashkuar për të zhvilluar robotët humanoidë, R2, për punë dhe eksplorim të hapësirës. Por NASA thotë se ato nuk janë më në zhvillim.
Shumë startup-e të tjera robotësh si Rethink Robotics gjithashtu kanë dolë jashtë loje, pasi nuk arritën të komercializonin produktet e tyre/Tibo-News.