Frikë helmimin, Putin pushon nga puna 1.000 punonjës

Reagimet kundër Rusisë e sidomos kundër liderit të saj, Vladimir Putin janë shtuar kudo në botë me tone të forta ndaj agresionit të shfaqur në Ukrainë. Kulmi i këtyre reagimeve ishte në momentin që presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi Putinin si “kriminel lufte”.

Edhe vetë Putin e ka ndjerë këtë “urrejtje” ndaj tij, siç e dëshmoi qartë dhe deklarata e fundit në televizionin kombëtar, ku foli për “tradhtarë brenda vendit” , dhe i përshkroi ata si llumin e shoqërisë. Por mediet britanike thonë se Putini po jeton këto kohë me frikën se mos e helmojnë.

Sipas tyre, ai detyron njerëz të tjerë të provojnë ushqimet përpara tij, ndërsa mësohet se ka zëvendësuar këto javë 1.000 pjesëtarë të stafit të tij personal. Vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Putini, është i frikësuar. Helmimi është konsideruar prej kohësh si një metodë e preferuar eliminimi në Rusi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dy ish agjentë rusë, Sergei Skripal dhe Alexander Litvinenko u helmuan me agjentë toksik nervor e material radioaktiv. Disa kohë më parë, senatori amerikan Lindsey Graham befasoi me deklaratën e tij për të asgjesuar Putinin, por thirrja e tij shkaktoi reagime të ashpra.