Frika nga sulmet kibernetike, BE merr masa

Vendet e Bashkimit Evropian do të marrin masa për menaxhimin e rreziqeve të sigurisë kibernetike në institucionet e BE-së.

Lajmi u bë me dije nga Komisioni Evropian pas shqetësimeve rreth rritjes së sulmeve kibernetike që mund të dëmtojnë aktivitetet kryesore dhe të vjedhin informacione të rëndësishme.

Propozimi është pjesë e një pakete rregullash nga ekzekutivi i BE-së, i quajtur Rregullorja e Sigurisë Kibernetike.

Kjo rregullore synon krijimin e një Bordi të Sigurisë Kibernetike për të monitoruar zbatimin e rregullave të reja.

Komisioneri për buxhetin Johannes Hahn tha se po ndërtojmë një mburojë të fortë kundër kërcënimeve kibernetike që mund të na bllokojnë aftësinë për të vepruar.

Sipas draft-rregullave, të gjitha institucionet e BE-së do të duhet të identifikojnë rreziqet dhe të krijojnë një plan për përmirësimin e sigurisë kibernetike.

Komisioni propozoi gjithashtu një rregullore të sigurisë së informacionit që do të krijojë disa rregulla dhe standarte minimale për të gjitha institucionet e BE-së.

Qeveritë kanë paralajmëruar për javë të tëra se Rusia ose aleatët e saj mund të kryejnë sulme kibernetike si ndëshkim për sanksionet e ndërmarra ndaj Moskës.