Forcat e Armatosura së shpejti me dronet Bajraktar

Shumë shpejt Forcat e Armatosura do të kenë në flotën e tyre të makinerive dhe pajisjeve ushtarake dhe 3 dronë Bajraktar. Qendra e komandim-kontrollit si dhe një qendër stimulimi do të stacionohen në Aeroportin Ushtarak të Kuçovës ku do të vendoset dhe komanda e tyre.

Sesi do të jetë pamja e këtyre droneve që do të mbërrijnë në vendin tonë si pjesë e marrëveshjes me qeverinë turke e ka zbuluar kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile. Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve përbën rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”.

Në verë një marrëveshje me Turqinë për blerjen e dronëve Bajraktar nënshkroi dhe Kosova. Sipas një vëzhgimi i Reuters bërë disa muaj më parë rezulton se dronët turq Bajraktar po rezultojnë armët më të suksesshme në luftërat e viteve të fundit, në zona të ndryshme konflikti në botë.

Siç ishte avantazhi që i dhanë në fitorë e përplasjes me Armenin, Azerbajxhanit në Nagorni-Karabakut në 2020-ën, në Libi në po të njëjtin vit. Por fama që kanë marrë prej dëmeve të mëdha që i kanë shkaktuar ushtrisë ruse në Ukrainë, po i shton klientët e dronëve Bajraktar në të gjithë botën.