FMN: Çmimet do të jenë të larta në vend për tre vite

Çmimet në vend do të jenë të larta jo vetëm këtë vit, por ato të vijojnë të jenë më të lartat në dy dekada të paktën deri në vitin 2027. Parashikimi është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar së fundmi. FMN vlerëson se inflacioni mesatar në Shqipëri, në vitin 2022 do të jetë 5.5%. Çmimet pritet të jenë të larta edhe në vitin 2023, me normën e inflacionit që vlerësohet të jetë në 3.7%. Deri në 2027-n inflacioni pritet të qëndrojë në rreth 3%, në objektivin e Bankës së Shqipërisë. Këto janë nivelet më të larta që nga viti 2004, kur FMN raporton të dhënat. Ajo vlerëson se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës do të frenojë rëndë rimëkëmbjen globale, duke ngadalësuar rritjen dhe duke rritur inflacionin edhe më tej. FMN parashikon që rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburantit do të dëmtojë familjet me të ardhura më të ulëta në nivel global, duke përfshirë këtu shtetet e Amerikës Jugore dhe Azisë.

“Në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve mund të shtojë ndjeshëm rrezikun e trazirave sociale”, thuhet në raport.   Rritja e ndjeshme e çmimeve pritet të përkeqësoje dukshëm edhe situatën financiare të familjeve shqiptare.