Flash, 5 lajmet kryesore të ditës

Autoriteti Rrugor rikujtoi të martën qytetarët që të përdorin rrugën Vorë-Rinas dhe jo Kashar-Rinas për të udhëtuar drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Përmes një njoftimi për shtyp ARRSH kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe bizneseve të zonës pasi në këtë pjesë të rrugës po kryhen punime. Prej disa ditësh ARRSH po rikonstrukton rrugën Kashar-Rinas, e cila ishte sistemuar përkohësisht në vitin 2014 përpara vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.

Policia e Durrësit njoftoi të mërkurën për arrestimin e 34-vjeçarit Arlen Hasanaj, i cili dyshohet se ishte personi që më 24 janar vendosi lëndë plasëse në banesën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Hasanaj akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone. Shpërthimi me tritol në banesën e Dukës ndodhi pak javë përpara zgjedhjeve për President të FSHF-së.

Partia Demokratike dorëzoi mbrëmjen e së martës listën me anëtarët dhe sekretarët për Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve vendore që do të mbahen në 6 bashki më mars. PD dorëzoi në Komisionin e Zgjedhjeve një vërtetim të Gjykatës së Tiranës, e cila njeh si kryetar Lulzim Bashën, për rrjedhojë ai konsiderohet personi i vetëm i autorizuar për të paraqitur kandidatë për kryetarë bashkie.

Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelit nisjen e procedimit disiplinor për një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Meta e ka bërë këtë kërkesë përmes një shkrese zyrtare drejtuar të mërkurën. Ai kërkon që KPA të marrë në shqyrtim punën e Fjona Papajorgjit, që sipas tij ka kryer shkelje profesionale dhe etike gjatë shqyrtimit të çështjes për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Në këtë çështje Papajorgji ka qenë relatore.

Autoritetet bullgare kanë shpallur fajtor për vdekjen e 45 udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut shoferin e autobusit. Hetimet në Bullgari kanë nxjerrë si përfundim se aksidenti që ndodhi më 23 nëntor 2021 u shkaktua nga pakujdesia. Autobusi i agjencisë “Besa” udhëtonte nga Stambolli dhe shumica e udhëtarëve që kishte në bord ishin fëmijë.