Fjalimi më i ashpër i Papës për luftën në Ukrainë

Agresion i armatosur i papranueshëm, e quan Papa Françesku sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, ku sipas autoriteteve ukrainase më shumë se 90 fëmijë kanë humbur jetën.

Duke folur para mijëra njerëzve të mbledhur në Sheshin e “Shën Pjetrit” për bekimet e së dielës Papa tha gjithashtu se vrasja e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur është barbare dhe një akt pa asnjë arsye të vlefshme strategjike.

Ai i quajti Mariupolin qytetin martir dhe bëri sërish apel për krijimin e korridoreve humanitare që rezidentët të lejohen të largohen pa u dëmtuar.

“Në emër të Zotit ju kërkoj të ndalni këtë masakër. Qyetet Ukrainase rrezikojnë të kthehen në varreza”.

Papa Françesku nuk e ka përdorur fjalën Rusi në mesazhet e tij për luftën qëkur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin më 24 shkurt.

Por zgjedhja e fjalëve të tij si agresion i armatosur dhe asnjë arsye e vlefshme strategjike lidhen direkt me të, duke kundërshtuar justifikimin  e Moskës për pushtimin.

Rusia e quan veprimin e saj një operacion special ushtarak. Të dielën e kaluar Papa Françesku hodhi poshtë këtë term duke thënë se nuk mund të konsiderohet vetëm një operacion ushtarak por një luftë që i ka bërë lumenjtë me gjak dhe me lot.