Firmoset marrëveshja për projektin e ndërtimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit

Banka Europiane e Investimeve ka nënshkruar së fundmi marrëveshjen me Qeverinë Shqiptare. Bëhet fjalë për projektin madhor të ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përmes një postimi në “Facebook”, ku shkruan se kjo linjë do ketë një gjatësi prej 120 kilometrash.

“Nënshkruam marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve, një tjetër partner me Qeverinë Shqiptare në projektin tonë madhor të ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.”

Balluku shton se marrëveshja ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin pasi do lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe mallrave. Balluku thekson  se ky është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor.

Postimi i Ballukut:

“Një linjë me gjatësi 120 kilometra, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, i cili do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe të mallrave. Pas Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor. BEI mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm për jetësimin e disa projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore”.