“Finlandizimi” i Ukrainës  

Gjatë Luftës së Ftohtë, Finlanda mbijetoi si një demokraci e pavarur dhe e papushtuar duke i dhënë Kremlinit ndikim të madh dhe duke u mbështetur në një neutralitet delikat – një model i njohur si Finlandizimi në qarqet diplomatike. I njëjti model tani po përdoret si një zgjidhje për situatën rreth Ukrainës. Kjo do të neutralizonte efektivisht sovranitetin e vendit.

Emmanuel Macron, presidenti francez, u pyet këtë javë nëse Finlandizimi ishte një mundësi për Ukrainën.  Ai tha se është një nga opsionet në tryezë, ndonëse më vonë u përpoq të tërhiqej nga kjo deklaratë.

Megjithëse politika e ndihmoi Finlandën të shmangte fatin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në jug, të cilat ishin të pushtuara si pjesë e bllokut sovjetik, pavarësia e saj gjatë Luftës së Ftohtë erdhi me koston e gëlltitjes së autocensurës dhe ndikimit të huaj.

Termi Findlandisation i referohet statusit të paangazhuar të Helsinkit gjatë Luftës së Ftohtë.

Vladimir Putin, presidenti rus, përballet me një zgjedhje të ashpër. Rusia mund të marrë kontrollin mbi Ukrainën ose të mbajë lidhje të forta ekonomike me Evropën. Do të jetë e vështirë t’i bëjë të dyja, sipas ekspertëve të çështjeve diplomatike. Ndërsa rreziku për një pushtim të mundshëm shtohet gjithnjë e më shumë, ukrainasit po vijojnë me ritmin e përditshëm të jetës, pavarësisht kërcënimit rus.

Shtetet perëndimore kanë thënë gjatë javëve të fundit se kanë frikë se Rusia po përgatitet të pushtojë. Putin e mohon këtë, por ka thënë më parë se mund të marrë “masa ushtarako-teknike” nëse kërkesat e tij të sigurisë nuk plotësohen. Ai dëshiron që NATO të kthehet në nivelet e saj të vendosjes së vitit 1997 dhe të tërhiqet nga Evropa Qendrore dhe Lindore.