
Finlanda mund të anëtarësohet në NATO
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin thotë se vendi i saj do të vendosë brenda pak javësh nëse do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n.
Sipas mediave ndërkombëtare, Marin ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye për të vonuar vendimin.
Konferenca e saj u pasua me një raport të paraqitur në parlamentin finlandez në të cilin thuhet se anëtarësimi në NATO mund të rezultojë në rritje të tensioneve në kufirin midis Finlandës dhe Rusisë.
Moska ka paralajmëruar Finlandën dhe Suedinë kundër anëtarësimit në NATO në javët e fundit.
Finlanda dhe Suedia janë ushtarakisht të paangazhuara, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxitur rritjen e mbështetjes publike për t’u bërë anëtarë të aleancës mbrojtëse perëndimore.
Finlanda ndan një kufi prej 1,340 km (830 milje) me Rusinë dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka theksuar se Moska do të duhet të “ribalancojë situatën” me masat e veta nëse oferta e Finlandës për në NATO shkon përpara.
Kryeministrja Marin vuri në dukje se anëtarësimi në NATO i ofron Finlandës garancinë e sigurisë të Nenit 5, ku një sulm ndaj një anëtari shihet si një sulm ndaj të gjithëve.
Ekspertët e çështjeve diplomatike thonë se lufta e Rusisë ka ndryshuar mjedisin e sigurisë në Evropë dhe ka detyruar rishikimin e politikës finlandeze të mbrojtjes.
*Tibo News.