Filmi për Elvis Presley gati për premierën në qershor

Shtatë vite pas lajmërimit se regjisori Baz Luhrmann do të zhvillonte një film për Elvis Presley-in, pritja ka përfunduar. Përgjithësisht filmat biografik ose pëlqehen ose urrehen, por vitet e fundit filmat kushtuar këngëtarëve të njohur kanë korrur sukses në botën kinematografike, në këtë pikë Bohemian Rhapsody është shembulli më konkret.

Tashmë radhën e ka historia e “Mbretit të Rokut” Elvis Presley. Shtëpia kinematografike “Worner Bros.” ka publikuar së fundmi trajlerin e filmit ku shfaqen aktorët Austin Butler në rolin e Elvis Presley dhe Tom Hanks në rolin e Tom Parkerit, menaxherit të Presley-it.

Luhrmann i njohur për filma të suksesshëm si “Moulin Rouge” apo “The Great Gatsby” duket se e ka përqendruar filmin për Presley-in te marrëdhënia e tij me menaxherin Parker, kalimi në botën e kinematografisë ku interpretoi disa filma dhe natyrën rebele që ai shfaqi për të rinjtë e kohës.

Reporterë të ndryshëm kanë nxjerrë në pah faktin se Parker ka pasur një marrëdhënie abuzive ndaj Presley-it duke qenë tejmase kontrollues dhe përgjegjës i shumë problemeve që Elvis vuajti gjatë jetës së tij.

Një film i tillë mund të bëjë diferencën për aktorët dhe kjo është mundësia për të riun Austin Butler, i njohur kryesisht për daljet e shkurtra në filmat e Quenti nTarantinos. Butler është shprehur tejet falënderues për mundësinë e dhënë, në një kohë kur Luhrmann pati marrë në konsideratë emra të ndryshëm si Harry Styles apo Ansel Elgort.

Në intervista të ndryshme Luhrmann ka theksuar se Butler e meritoi rolin pasi i ngjante më tepër Elvisit me kostumet dhe interpretimet që bënte në skenë.

Filmi Elvis është parashikuar të jetë premierë në kinema në muajin qershor. Kritikët e vlerësojnë si një nga filmat më të pritur të këtij viti.