Fidel Ylli kërkon taksimin e basteve: Paratë t’i shkojnë sportit

Me një ceremoni të veçantë Tirana priti sot kampionen e Evropës në atletikë, Luiza Gegën. Atletes iu kushtua një paradë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku dhe u mbajt ceremonia zyrtare.

E veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar, Luiza përshëndeti qytetarët nga një makinë e kuqe retro, teksa atmosfera festive u ndoq edhe nga dhjetëra studentë e sportistë të akademive. Parada u përmbyll në Kryeministri në mjediset e së cilës u mbajt dhe një konferencë për shtyp me Kryeministrin Rama, Ministren e Sportit Kushi, Presidentin e Komitetit Olimpik Ylli dhe kryebashkiakun e Tiranës Veliaj.

Luiza u shpall kampione në garën 3000 metra me pengesa gjatë europianit që u mbajt në Mynih të Gjermanisë. Kryeministri Rama i puthi asaj duart në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje teksa i dha asaj Kordonin e Madh me Yllin për Mirënjohje Publike.

Presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, e falënderoi Luizën për arritjen duke theksuar se suksesi i saj nuk është vetëm individual, por për të gjithë sportet.

Presidenti i Komitetit Olimpik përfitoi nga rasti për të rikthyer vëmendjen te financimi i sporteve. Ai tha se qeveria duhet të taksojë kompanitë e basteve në mënyrë që kështu të ketë më pak kosto për buxhetin e shtetit e më shumë mundësi për investime në infrastrukturë.