Festat kombëtare, prenotime jashtë vendit që prej një muaji

Festat kombëtare si ajo e pavarësisë dhe e çlirimit të vendit, qytetarët e kryeqytetit kanë zgjedhur t’i kalojnë jashtë vendit. Ndonëse të pakta në numër krahasuar me në vit më parë, agjencitë turistike thonë se prenotimet për këto pushime kanë nisur që prej një muaji për të përfituar nga çmimet.

Sipas operatorëve turistik vendet e Evropës perëndimore mbeten destinacionet më të preferuara, kjo për shkak se edhe çmimet e ofruara mbeten të favorshme. Këtë vit, festat e Nëntorit, falë edhe vendimit të qeverisë për ta bërë të hënën pushim për administratën shtetërore, janë parë si një mundësi e mirë për të bërë një pushim të gjatë.

Nga ana tjetër ardhja e dimrit dhe dëbora e parë kanë bërë që të tjerë qytetarë të zgjedhin juglindjen e vendit. Në kryeqytet për herë të parë më 28 Nëntor, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit. Aktivitetet do të vijojnë deri në mbrëmje ku do të mbahet dhe një koncert festiv.