
Festa Olimpike mbledh mijëra të rinj në Tiranë
Stadiumi “Air Albania” në Tiranë mirëpriti këtë të shtunë në një festë të madhe mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria që përbëjnë 700 ekipet sportive në shkolla.
Të gjithë u bënë bashkë në Festën Olimpike, një aktivitet ky i cili vjen në kuadër të projektit “Ekipet sportive në Shkolla” me financim nga qeveria.
Projekti synon nxitjen dhe përfshirjen e të rinjve në aktivitete sportive me qëllimin për një jetë më të shëndetshme, bazuar në parimet olimpike.
Në hapje të eventit, presidenti i Komitetit Olimpik kombëtar, Z. Fidel Ylli u shpreh se ky projekt i vjen në ndihmë familjeve shqiptare nëpërmjet heqjes së kostove të uniformave për fëmijët duke synuar kështu gjithëpërfshirjen e të rinjve në aktivitetet sportive.
Në festën e madhe me mijëra të rinjë të pranishëm nga e gjithë Shqipëria ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Përgjatë fjalimit të tij Rama u shpreh se ky projekt do të nxjerrë në pah kampionët e rinj që do të ngrenë lartë flamurin Shqiptar në arenat ndërkombëtare.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj u shpreh se nuk kishte mënyrë më të mirë sesa ky aktivitet për të përmbyllur arritjet e Tiranës si Kryeqytet Evropian i Rinisë.
Në fjalën e tij për Tibo, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar u shpreh se platforma ka qënë një bashkëpunëtor i rëndësishëm në nismën e ndërmarrë nga qeveria, bashkitë në mbarë vendin dhe federatat.
Ndërsa presidenti i platformës Tibo Adnand Mahmuti u shpreh se kjo është koha që sporti dhe teknologjia të ecin tani më së bashku në një drejtim.
Platforma Tibo në partneritet me Komitetin Olimpik kombëtar do të sjellë ekskluzivisht në kanalin “SportAlb” transmetime live të të gjithë kampionateve të basketbollit dhe volejbollit që do të realizohen përgjatë vitit 2023.
*TiboNews