
Fenomeni “Tinder Swindler” shumë më popullor se sa mendohet
Mashtrimi përmes aplikacioneve të njohjeve online është prirja më e diskutuar muajt e fundit. Kjo për shkak edhe të dokumentarit të publikuar në Netflix “The Tinder Swindler”, që shqip do të thotë “Mashtruesi i Tinderit”.
Historia e Simon Leviev, i cili mendohet t’u ketë zhvatur rreth 10 milionë dollarë qindra vajzave anë e mbanë botës përmes joshjes dhe mashtrimit ka tronditur shumë njerëz. Por mashtruesit serialë, që godasin kryesisht përmes aplikacioneve të njohjeve online, duket se janë më të shumtë se sa mendojmë.
Të dhënat e reja të publikuara nga Komisioni Amerikan i Tregtisë kanë nxjerrë në pah se mashtrimet e raportuara me romanca online arritën një rekord historik në vitin 2021, duke u shtuar gati me 80% krahasuar me vitin 2020.
Kjo statistikë mund të shpjegojë se përse dokumentari “The Tinder Swindler” ka udhëhequr listat botërore të shikueshmërisë për javë me radhë që pas publikimit në Netflix më 2 shkurt.
Sipas Komisionit Amerikan, njerëzit kanë humbur 1.3 miliardë dollarë nga romancat e rreme vetëm në pesë vitet e fundit, 547 milionë prej të cilave ndodhën në vitin 2021. Kjo është një rritje shumë e madhe, që nga viti 2017, kur humbjet nga mashtrime të tilla raportoheshin në 87 milionë dollarë.
Në total rreth 56,000 mashtrime përmes joshjes online u raportuan në Komisionin Amerikan në 2021.
Humbjet më të mëdha të mashtrimit përmes joshjes u paguan në kriptomonedha, të paktën 139 milionë dollarë gjatë vitit 2021 ku mesatarisht secili nga rastet kishte rreth 9,770 dollarë humbje.
Autoritetet kanë vënë re një fakt tejet domethënës, që mashtruesit synojnë kryesisht njerëzit më të pambrojtur, si adoleshentët, të rinjtë e moshave 18-29 vjeç dhe të moshuarit apo të vetmuarit.