Fëmijët e familjeve në nevojë do ndihmohen financiarisht

Fëmijët e familjeve në nevojë do ndihmohen financiarisht në vitet e para të jetës.

Strategjia e mbrojtjes sociale mbështetet në modelet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare sipas qeverisë dhe ndihma në lekë parashikohet të jepet fillimisht për fëmijët deri në moshën 3-vjeçare.

“Sugjerimet e këtij dokumenti synohet të pilotohen në kuadrin e skemës për “1000 ditët e para të jetës së fëmijës” dhe më pas të vijohet me zbatimin kombëtar të saj të mbështetur në një kuadër të mirë ligjor dhe rregullator”.

Programi i mbrojtjes sociale ka për synim që të përmirësojë jetën e fëmijëve përmes ndihmës me para cash. Përfitues do jenë fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ata që kanë vetëm njërin prind.

Aktualisht ekzistojnë disa përfitime për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në familjet në ndihmë ekonomike, të tilla si bonusi i bebes, stimuli financiar për regjistrimin në shkollë dhe për vaksinimin, tekste shkollore falas dhe bursa mësimore.

Në Shqipëri janë aktualisht 68.500 fëmijë në familje në nevojë.