AlbanianEnglish

Fëmija 1 vjeç me HIV. Çfarë ka ndodhur dhe akuzat e prindërve për QSUT

Rasti i fëmijës 1 vjeç i cili ka rezultuar me HIV në Tiranë, ka troditur opinionin publik. Vëmendje rastit i kushtoi ministrja e Shëndetësisë sot, Ogerta Manastirliu, e cila tha se MSH është mirëkuptuese ndaj reagimit të prindërve dhe se aktualisht po kryhen hetimet e mundshme, duke shtuar se puna bazohet në ekspertizën e ekspertëve dhe sipas saj, kjo e fundit tregon se autoritetet nuk kanë “faj.”

Manastirliu theksoi se nga një proces hetimor i kryer nga Instituti Shqiptar i Higjienës rezulton se në çdo hallkë janë zbatuar protokollet mjekësore.

Si qëndron historia?

Për shkak të disa problemeve shëndetësore, fëmija është dërguar në Pediatrinë e QSUT-së dhe aty prindërit dyshojnë se fëmija është infektuar me HIV. Nga analizat e kryera rezulton se të dy prindërit e fëmijës janë negativ. Prindërit kanë rrëfyer vetë për disa media, historinë me kalvarin e vuajtjeve me djalin e vogël të infektuar.

Ata dyshojnë se fëmija është infektuar në kohën kur ai u shtrua në pavijon për shkak të virozëve të stinës. Por pas daljes nga spitali, fëmija ka përjetuar simptoma e probleme të tjera shëndetësore ku më pas ka rezultuar se është i infektuar.

Babai i tij, duke dashur të qëndrojë anonim ka deklaruar:

“Shtrimin e parë e ka pasur më 12 nëntor 2021 dhe ka dalë në datën 9 dhjetor 2021. Në datën 31 dhjetor ka nisur një temperaturë e pazakontë, e shoqëruar me diarre të vazhdueshme. Më 31 janar, kaloi një infeksion të rëndë urinar. Më 20 shkurt, përsëri gjendja nuk ndryshon dhe i nis një frymëmarrje e shpejtuar. E shtrojmë në datën 2 mars 2022, pra bëhen 5 kartela shtrimi pranë Pediatrisë në QSUT. Një doktor i bën testin e HIV-it, i cili del pozitiv. Na u komunikua diagnoza e djalit pa prezencën e asnjë psikologu. Falë njerëzve që kishim pranë nesh e kemi kaluar sepse mund të kishim ndërmarrë edhe një akt ekstrem”.

Prindërit aludojnë se stafi mjekësor mund të ketë gabuar me injeksionet, apo me forma të tjera të ndryshme mjekësore gjatë trajtimit.

Babai i fëmijës tregon:

“Nga konsultimi që kemi pasur edhe jashtë, ekzistojnë mënyra të ndryshme, nga transfuzioni i gjakut dhe jo vetëm. Në periudhën që kemi qenë ne ka pasur dyndje shtrimesh. E shtrydhnin qumështin dhe e sillnin pa një numër identifikimi, pa një emër. Sipas pohimit të infermierëve që kemi pasur kontakt më vonë, na kanë konfirmuar që kishin në dispozicion vetëm 3 doreza gjatë ditës së punës, pra ato shërbenin, i lanin dhe më pas kryenin injeksione”.

Prindërit e të miturit aktualisht ndodhen në një shtet tjetër për trajtimin e djalit. Drejtues të Institutit të Shëndetit Publik thonë se vijon hetimi i thelluar. E vërteta ende mbetet mister.

Si transmetohet HIV?

HIV përhapet kryesisht nga seksi i pambrojtur (përfshirë seksin anal dhe vaginal), transfuzionet e gjakut të kontaminuar, gjilpërat hipodermike dhe nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji. Disa lëngje trupore, si pështyma, djersa dhe lotët, nuk e transmetojnë virusin.

*Tibo News

You don't have permission to register