FATF heq Shqipërinë nga lista gri e pastrimit të parave

Shqipëria del nga lista gri e pastrimit te parave dhe sipas FATF nuk ka qenë vendim politik, por i bazuar në performancën e vendit në 3 vitet e fundit për të luftuar këtë fenomen dhe financimin e turizmit.

Në një raport të posaçëm nga ‘Task Forca e Veprimit Financiar’ janë renditur edhe arsyet se përse Shqipëria nuk është më pjesë e kësaj liste, duke renditur në fillim formalizimin e ekonomisë si dhe rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve.

Në raport thuhet se një nga rekomandimet e tjera që Shqipëria ka plotësuar është edhe krijimi I mekanizmave të duhur për të shmangur përfshirjen e krimit në ekonomi.

“Krijimi i mekanizmave efektivë për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal në ekonomi, duke përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.”

Task Forca e Veprimit financiar vlerëson po ashtu reformën në drejtësi, duke përmendur si pozitive rritjen e numrit të ndjekjeve penale si dhe konfiskimeve në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Ndikim në daljen nga lista gri e Shqipërisë ka dhënë edhe trajtimi në kohë i kërkesave për ndihmë juridike.

Task Forca e Veprimit Financiar nuk lë pa përmendur edhe amnistinë fiskale.

“FATF mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të respektuar parimet e FATF-së në rast se Shqipëria prezanton një program të amnistisë fiskale në të ardhmen.”

Pavarësisht progresit, Shqipërisë i rekomandohet të vazhdojë të punojë me MONEYVAL, organin monitorues të Këshillit Evropian për të forcuar edhe më tej luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.