Fajtor për blerje votash në Himarë, Fredi Beleri dënohet me 2 vite burg

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor Alfred Belerin, kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës për blerje të votave në zgjedhjet lokale, dhe e dënoi atë me 2 vite burg.

Edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënuar, por me 3 vite shërbim prove, me akuzën e korrupsionit në zgjedhje.

Masat e dënimit të dhëna nga gjykata janë më të ulëta se ato të kërkuara nga SPAK 2 javë më parë.

Përpara se gjyqtarët të tërhiqeshin në dhomën e këshillimit, Fredi Beleri lexoi kundërshtimet lidhur me akuzat e ngritura nga SPAK.  Ai tha se hetimi dhe gjykimi i tij  kanë sfond politik në mënyrë që të mos dilte fitues në Himarë dhe të mos e merrte mandatin. Megjithatë, regjistrimet dhe provat e SPAK, bënë që gjykata të marrë vendimin dënues për Fredi Belerin, duke e shpallur fajtor për akuzat.