
Europa nuk e ka energjinë rinore të Shqipërisë, thotë piktori Agim Sulaj
Artisti i vlerësuar me dhjetëra çmime ndërkombëtare, Agim Sulaj, thotë se shqiptarët kanë një energji të pakrahasueshme me vendet e tjera. Pikërisht kjo energji është arsyeja që e ka bërë të mendojë rikthimin në atdhe.
Në një intervistë për Tibo News ai tregoi për aktivitetin artistik dhe një gjykim personal për atë çka ndodh në vendin tonë.
Piktori ishte pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës Niko Nikolla e cila u prezantua në Panairin e Klik Ekspo Grup përgjatë tri ditëve në Pallatin e Kongreseve. Artistët shqiptar dhe ato ndërkombëtarë sollën punimet e tyre në këtë Bienale të karikaturës e cila pati dy tema kryesore, “Ku po shkon Bota” dhe “ Vepra e Agim Sulaj në sytë e artistëve ndërkombëtarë”.
Përgjatë intervistës Sulaj rrëfeu më tepër mbi tematikat e veprimtarisë së tij artistike ndër vite.
“Valixhja e Emigrantit”, një ndër veprat më të njohura të artistit i dha atij çmimin e tij të parë ndërkombëtar në Ankara të Turqisë. Sot Agim Sulaj shprehet se kjo vepër e cila i parapriu largimit të tij nga Shqipëria vijon ende ta frymëzojë.
*Tibo News.