
Europa heq kufizimet anti-Covid, por a jemi në fundin e pandemisë?
Qeveria franceze hoqi kërkesën për maska anti-Covid në ambientet e brendshme ndërsa Austria nuk e kërkon më vaksinën me detyrim. Në fakt shumë vende europiane po i heqin kufizimet kur koronavirusit ende vijon të qarkullojë dhe në nivele të larta.
Janë 18 vende në rajonin europian që kanë hequr pothuajse të gjitha masat kundër koronavirusit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Epidemiologu në Londër, David Heymann thotë se vendet janë mësuar tashmë të jetojnë me këtë virus. Dhe nga ana tjetër, qeveritë por i lënë njerëzit të bëjnë vetë vlerësimin e rrezikut në vend që të vendosin kufizime ndaj tyre.
Por a do të thotë kjo se pas dy vitesh me masa kufizmi, pandemisë po i vjen fundi?
“Për momentin unë nuk do mund ta quaja kështu”, thotë për Euronews ekspertja Catherine Smallwood, e cila është edhe menaxhere e incidenteve që lidhen me Covid në OBSH për rajonin europian.
“Sigurisht, ne jemi në një fazë të pandemisë ku mund të përpiqemi të arrijmë të largohemi nga urgjenca akute që ka sjellë pandemia, por do të duhet shumë kohë përpara se të mund të “pretendojmë se virusi nuk është më midis nesh”.
Synimi për këtë vit do të ishte dalja nga kjo fazë “emergjente”, por do të varet nga mënyra se si evoluon në mbarë botën.
Ka ende raste në rritje dhe vdekje në disa vende aziatike, ku ka imunitet më të ulët të popullsisë sesa në Evropë. Rastet dhe vdekjet janë në nivelin më të lartë të dy viteve në Kinë.
Rastet ishin në rënie të përgjithshme në Bashkimin Evropian (BE) dhe Zonën Ekonomike Evropiane (EEA) në javën e parë të marsit, sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Në raportin e fundit të mbikëqyrjes së organit të shëndetit publik nga 10 marsi, vdekshmëria ishte ende në rritje në 10 vende për shkak të përhapjes së variantit Omicron. Rreth 83% e njerëzve në BE dhe ZEE janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19.
“Besoj se ringjallja do të varet nga imuniteti i popullsisë në vend dhe gjithashtu nga mbulimi i vaksinimit dhe historia e sëmundjes së mëparshme”, thotë ekspertja e cila thekson se shumë njerëz mund të kenë kaluar tashmë Covid-in pa simptoma.
Ekspertët thonë se mund të dalin në qarkullim mutacione të reja të virusit, që mund të shmangin edhe efektet e vaksinave. Por edhe në këtë rast, vaksinat aktuale mund të modifikohen dhe të përshtaten për të sulmuar variantet e reja.
*Artikulli i Euronews, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News.